Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi thotë se protestat nuk duhet shfrytëzuar për të nxitur urrejtje ndërfetare

Presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas protestës dhe kundërprotestës që u mbajë në Prishtinë në lidhje me ndërtimin e Xhamisë së Madhe.

Thaçi ka thënë se protestat nuk duhet shfrytëzuar për nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike.

“Ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve të krishterë dhe me Presidentin Rugova kemi vënë gurthemelin e Katedrales në Prishtinë. Po ashtu, ndjehem mirë dhe krenar, që së bashku me kreun e komunitetit të besimtarëve myslimanë dhe me Presidenten Jahjaga e vumë edhe gurthemelin e Xhamisë në Prishtinë. Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, shekuj me radhë. Askush nuk ka asnjë arsye që të ndjehet i fyer, i anashkaluar apo i privilegjuar mbi baza fetare në shtetin tonë modern. Protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike”, ka shkruar Thaçi në Facebook.