Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj vrasjes së 14-vjeçarit nga babai i tij në Karaçevë të Kamenicës.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se vrasja e të miturit duhet të zgjojë ndërgjegjen e të gjithëve për të punuar më shumë në parandalimin e dhunës familjare.
“Jam i prekur thellë nga vrasja e të miturit 14 vjeçar nga Karaçeva e Komunës së Kamenicës. Dhuna në familje është e patolerueshme, në kundërshtim me vlerat që kemi krijuar si shoqëri dhe kundër traditës sonë. Familja gjithmonë ka qenë e shenjtë dhe e tillë duhet të mbetet, të kultivohet dhe ruhet nga të gjithë. Ky rast i rëndë, duhet të zgjojë ndërgjegjen e të gjithëve, për të punuar më shumë dhe më vendosmërisht për të parandaluar çdo formë të dhunës në familje”, ka shkruar Thaçi në Facebook.