Arbëri

Thaçi nuk i është lajmëruar Lajçakut sepse “është i zënë duke u përballur me pandeminë”

Foto: Ilustrim

Ndryshimi i kufijve të Kosovës përmes shkëmbimit të territoreve dhe ideja për amnisti për krime lufte, nuk pritet të jenë në tryezën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

E para për shkak se konsiderohet si ide kundër vlerave evropiane dhe do të kishte ndikim negativ në rajon, ndërsa e dyta, sepse BE-ja mendon se me këtë çështje merren organizmat tjerë, siç janë gjykatat ndërkombëtare dhe ato lokale, raporton KOHA.

Por në BE presin që çështja e të zhdukurve të diskutohet në dialog sepse një marrëveshje gjithëpërfshirëse do të duhej të ndihmonte edhe në shërimin e të gjitha plagëve nga e kaluara.

Këto pohime i ka bërë një diplomat i lartë i BE-së duke folur me një grup gazetarësh në Bruksel. I njëjti burim ka thënë se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka pasur kontakte me shumë politikanë nga Kosova dhe Serbia ndërkohë që përpjekjet e tij për të pasur bisedë me presidentin Thaçi nuk kanë pasur sukses. Thuhet që Thaçi t’iu ketë përgjigjur se “është i zënë me luftë kundër pandemisë”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në disa raste ka thënë se ai nuk do të marrë pjesë në dialogun të cilin do ta ndërmjetësojë ish-ministri i Sllovakisë, Miroslav Lajçak për shkak se ky shtet nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Burimet diplomatike në BE pohojnë se Lajçak ka pasur kontakte të vazhdueshme edhe me përfaqësues të lartë të Administratës amerikane si Philip Ruket dhe Mathiew Palmer, por jo edhe me ish-ambasadorin në Gjermani, Richard Grenell, i cli po ashtu ka thënë se “është i zënë për shkak të pandemisë së koronavirusit”.

Bashkimi Evropian, tash pasi është krijuar Qeveria e re në Kosovë, pret që sa më parë të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe që Qeveria e Kosovës të emërojë një ekip dhe një kryenegociator për këtë dialog.

Sipas BE-së qëllimi i këtij rifillimi të dialogut duhet të jetë edhe përfundimi sa më i shpejtë i tij përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura.

Po ashtu në qasjen e re të dialogut, BE-ja dëshiron të jetë më konkrete e jo duke pasur një qasje të ambiguitetit të qëllimshëm, siç ka pasur më herët.

Në një takim që Lajcak ka pasur para disa ditëve me përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së, është shprehur qartë se shumica e këtyre shteteve kanë kundërshtuar si një ide e cila do të kishte ndikim negativ në rajon, do të dëmtonte të ardhmen evropiane dhe do të shkaktonte edhe lëvize të qytetarëve në baza etnike.

“Ndryshimi i kufijve në baza etnike nuk është diçka që është në përputhje me vlerat evropiane”, ka thënë një diplomat i lartë i BE-së.

Sipas burimeve të BE-së, i Dërguari i Posaçëm Miroslav Lajçak, planifikon që sa më shpejtë të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, të nisë kontaktet personale me partnerët në mënyrë që të rifillojë dialogu. I njëjti do të duhej të zhvillohet në Bruksel dhe BE-ja pohon se, sipas vendimeve të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, dialogu i vetëm është ai i ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në pyetjet se a është njohja e Kosovës si shtet qëllimi final i dialogut, diplomati i lartë i BE-së u shpreh se “normalizimi i plotë i raporteve ka një domethënie të qartë”.