Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen solemne për shënimin e Ditës së Kushtetutës, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, njofton kumtesa presidenciale, transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se një dekadë më parë kemi vendosur të ndërtojmë të ardhmen tonë, si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, që u bë atdhe i të gjithë qytetarëve.
“Dita e miratimit të Kushtetutës nuk ishte vetëm legjitimim i shtetësisë sonë, por edhe jetësim i një ideje, i një projekti dhe i ëndrrave të shumë gjeneratave që u flijuan dhe punuan për këtë ditë”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se “ajo ditë shënoi rrugëtimin tonë të pandalshëm për ndërtimin e një shteti demokratik, ku pronarë janë të gjithë qytetarët, pa dallime etnike dhe përkatësie fetare”.
Thaçi theksoi se Kushtetuta e Kosovës është ndër më modernet në Evropën Juglindore dhe mishëron vlerat e të drejtave të njeriut, të qytetarëve të barabartë, duke garantuar liritë qytetare dhe barazinë para ligjit.
“Sot, ashtu sikurse dhjetë vjet më parë, nuk ishte vetëm një ditë feste, por edhe një ditë zotimi se do të ndërtojmë një shtet, i cili do të sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në Evropë”, theksoi ai.
Dhjetë vjet më parë, sipas Thaçit, u projektua rruga euroatlantike me synimin që shteti i Kosovës të jetë anëtar i BE-së dhe i NATO-s.
Ndër ndryshimet kryesore që, sipas Thaçi, i presin qytetarët e Kosovës janë edhe ndryshimet e nevojshme për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, përfshirja e komunitetit kroat dhe atij malazez në Kushtetutën e Kosovës dhe ndryshimet që kërkohen për të përmbyllur reformën elektorale.
Hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Thaçi i ka dekoruar edhe me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë.