Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka kujtuar masakrën më të madh pas Luftës së Dytë Botërore, masakrën e Srebrenicës, transmeton Koha.net.
Thaçi ka theksuar se masakra e Srebrenicës nuk e ka ndalë regjimin e Millosheviqit të kryejë masakra tjera edhe në Kosovë me përmasa të një gjenocidi.
Gjithashtu, Presidenti ka theksuar se Republika e Kosovës nuk do të heqë dorë asnjëherë nga kërkimi i së vërtetës dhe dënimi i kryerësve të këtyre masakrave.
Ky është postimi i tij i plotë:
“Sot i bashkohemi qytetarëve të mbarë botës, të cilët po e kujtojnë masakrën më të madhe pas luftës së dytë botërore në Evropë, masakrën e Srebrenicës.
Fëmijë, gra e burra u vranë egërsisht, prandaj vetëm njohja e së kaluarës dhe dënimi i kryerësve të gjenocidit, do të shërojë plotësisht dhembjen e familjarëve të tyre.
Masakra e Srebrenicës, 23 vjet më parë, fatkeqësisht nuk e ndali regjimin e Millosheviqit të kryejë masakra të tjera në Kosovë, me përmasa të një gjenocidi të ri.
Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të heqë dorë nga kërkimi i së vërtetës dhe dënimi i kryerësve të këtyre masakrave”.