Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përsëritur edhe një herë tjetër qëndrimin e tij për korrigjim të kufijve me Serbinë, në përmbyllje të Forumit të Alpbachut që po mbahet në Austri. Thaçi ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për dialogun Kosovë-Serbi, raporton KTV.
Ndërsa, homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se ndërkombëtarët duhet t’i lejojnë shqiptarët dhe serbët që vetë t’i zgjidhin problemet. Ai, sikurse Thaçi, ka thënë se një marrëveshje duhet të arrihet sa më shpejt, derisa ka theksuar se nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës pa fituar asgjë. Diskutimet Thaçi-Vuçiq, presidenti austriak i ka quajtur historike.
Pavarësisht kundërshtimeve në Kosovë, nga Austria presidenti Hashim Thaçi vazhdon të insistojë në idenë e tij për korrigjim të kufijve me Serbinë.
Në një konferencë të përbashkët gjatë forumit evropian Alpbach me presidentin serb Vuçiq, Thaçi ka thënë se asnjë shtet nuk duhet të ketë frikë nga korrigjimi i kufirit me Serbinë.
Ai ka thënë se marrëveshja përfundimtare duhet të arrihet sa më shpejt.
Madje, Thaçi ka thënë se po shqyrtojnë çdo mundësi për të gjetur zgjidhje,siç e ka quajtur kreative për marrëveshjen përfundimtare mes dy shteteve. Ai për këtë ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare.
Ndërsa, homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ndërkombëtarët duhet t’i lejojnë shqiptarët dhe serbët që vetë t’i zgjidhin problemet.
Ai, sikurse Thaçi, ka thënë se një marrëveshje duhet të arrihet sa më shpejt.
Vuçiq shtoi se nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës pa fituar asgjë. Ai ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për këtë proces.
Nikoqiri i Forumit Alpbach, presidenti i Austrisë, Van der Bellen, e ka cilësuar historik takimin e së shtunës Thaçi-Vuçiq.
Ndërsa, komisionari Johanes Hahn, ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të merret si model për shtetet e tjera në rajon. Por, sipas tij ajo duhet të jetë specifike.
Të dy presidentët Thaçi e Vuçiq do të takohen më 7 shtator në Bruksel, në kuadër të fazës së fundit të dialogut Kosovë-Serbi.