Arbëri

Thaçi e priti Kurtin gati dy javë për një takim as 10 minutash

Më pak se dhjetë minuta ka zgjatur takimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Pas takimit, Kurti tha se Thaçi ka kërkuar që ta bëjë propozimin për mandatarin e Qeverisë, raporton KTV.

Megjithatë, për këtë propozim, nuk ishte i gatshëm kreu i Vetëvendosjes.

Ndonëse Kurti bëri të ditur se propozimin do ta bëjë shumë shpejt, Thaçi nuk do ta presë shumë gjatë.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i shtetit i ka dhënë afat Kurtit që të bëjë propozimin për kryeministrin.

“Kam vendosur që t’i ofroj z.Kurtit kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

“Sapo zhvillova një takim të shkurtër me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, në përpjekje për të implementuar rezultatin zgjedhor të Zgjedhjeve të Përgjithshme të 6 tetorit të vitit të kaluar. Tashmë është bërë hapi i parë i rëndësishëm i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka përsëri i përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës. Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, shkroi Thaçi.

Pasi që Presidenti të pranojë propozimin e mandatarit, kryetari i Vetëvendosjes ka 15 ditë kohë që të formojë qeverinë e re.