Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi e Haradinaj përkujtojnë ish-kryeministrin Rexhepi

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj kanë përkujtuar ish-kryeministrin Bajram Rexhepi në dy vjetorin e vdekjes së tij.

Në një postim në Facebook, Thaçi thotë se Rexhepi u gjend në pozita të rëndësishme politike sa herë që e kërkoi vendi, transmeton Koha.net.

“Në përvjetorin e dytë të vdekjes, sot përkujtojmë ish kryeministrin e Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili u gjend në pozita të rëndësishme politike sa herë që e kërkoi vendi: si humanist, doktor i luftës, kryetar komune, ministër dhe kryeministër. Jemi gjithmonë krenarë dhe mirënjohës për kontributin e çmuar të tij për lirinë, pavarësinë dhe forcimin e institucioneve të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Dy vite nga vdekja e ish-kryeministrit, Bajram Rexhepit

Derisa Haradinaj ka shkruar se Rexhepi do të mbetet gjithmonë në kujtesën shtetërore si personalitet që e shquanin virtytet e fisnikërisë, përkushtimit dhe profesionalizmit.

“Ai iu përgjigj thirrjes së dyfishtë, profesionale dhe patriotike të luftës çlirimtare. Në një kohë përplot sfida, të rimëkëmbjes së vendit, mori detyrën e Kryeministrit të Kosovës, duke luajtur rol konstruktiv në shumë procese të vështira politike. Përulem me respekt para kujtimit dhe veprës së ish-kryeministrit Bajram Rexhepi”, ka shkruar Haradinaj.

Artikuj të ngjashëm