Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bajram Rexhepi përkujtohet në një vjetorin e vdekjes

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamenari Kadri Veseli kanë marrë pjesë në akademinë përkujtimore të organizuar nga komuna e Mitrovicës, në njëvjetorin e vdekjes së ish-kryeministrit, Bajram Rexhepi.

Me këtë rast, Haradinaj e ka quajtur Rexhepin “njeri bujar në qëllimet e tij”.

Kryeministri po ashtu ka thënë se nuk e ka njohur Rexhepin sikurse politikanët e tjerë porse ka respekt të madh për veprën e tij dhe sjelljen si njëri i jashtëzakonshëm, ngase ka kryer shumë punë për vendin e tij.

“Përkulem me respekt para figurës dhe veprës se Bajram Rexhepit”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kujtuar kohën kur Rexhepi si mjek ka dalë nëpër male për të shëruar plagët e ushtarëve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Veseli tha se familja e tij duhet të jetë krenare për të sikurse klasa politike në Kosovë.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nën patronatin e të cilit u organizua akademia përkujtimore, tha se lajmi për vdekjen e Rexhepit ka tronditur të gjithë.

Bajram Rexhepi ka vdekur më 21 gusht të vitit të kaluar pas një sëmundje të rëndë./KSP

Artikuj të ngjashëm