Tetë zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk kanë respektuar afatin ligjor për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
1 prilli ka qenë dita e fundit për ta kryer këtë detyrim ligjor, mirëpo edhe pas një muaji afat, këtë nuk e kanë bërë të gjithë zyrtarët e kryeqytetit, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Asamblistja Visare Gashi, dhe zyrtari Fatmir Morina nuk e kanë deklaruar fare pasurinë.
Ndërsa, ata që nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor janë nënkryetari Selim Pacolli dhe këshilltarët komunalë Eman Rrahmani, Leonora Shabani – Bajraktari, Arbenita Murseli dhe Adrian Berisha.
Ndërsa, këshilltari komunal Besnik Mujeci e ka arsyetuar në AKK mosdeklarimin e pasurisë.
Zyrtarë të Kundër Korrupsionit thonë edhe pas përfundimit të afatit, po u vijnë arsyetime nga zyrtarët.
Nëse arsyetimet nuk janë të bazuara, ndaj tyre pritet të ngrihen kallëzime penale.
Afrim Atashi, Drejtor i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në AKK, thotë se vitin e kaluar nuk kanë qenë të kënaqur me dënimet e shqiptuara nga Gjykatat.
Ministria e Drejtësisë ka rekomanduar që këshilltarët komunalë të mos vazhdojnë ta deklarojnë pasurisë. Kjo pasi, sipas ministrisë, ata nuk janë të ekspozuar ndaj keqpërdorimit të parasë publike.
Zyrtarët që nuk kanë deklaruar pasurinë në afatin ligjor:
Visare Gashi - Komuna e Prishtinës
Fatmir Morina - Komuna e Prishtinës
Zyrtarët që kanë deklaruar pasurinë pas afatit ligjor:
Selim Pacolli – Nënkryetar i Prishtinës, AKR
Eman Rrahmani – Këshilltar Komunal, LVV
Leonora Shabani Bajraktari – Këshilltare Komunale, LVV
Arbenita Murseli - Këshilltare Komunale, AKR
Adrian Berisha – Këshilltar Komunal, PSD
Zyrtarët që nuk kanë deklaruar pasurinë në afatin ligjor për arsye shëndetësore dhe të tjera:
Besnik Mujeci - Komuna e Prishtinës