Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Termokosi vazhdon furnizimin me ngrohje edhe për disa ditë

Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar të premten se furnizimi me ngrohje do të vazhdojë edhe për disa ditë, pas monitorimit të lëvizjes së temperaturave minimale ditëve të fundit.

Sipas njoftimit, ngrohja ishte paraparë të përfundonte më 15 prill.

“Ndonëse, furnizimi me energji ngrohëse, sipas afatit të zakonshëm do të duhej të përfundonte të premten, pasi është monitoruar lëvizja e temperaturave minimale ditëve të fundit si dhe pasi janë analizuar parashikimet meteorologjike për një përkeqësim të motit ditëve të ardhshme, NP “Termokos” bën të ditur që furnizimi me ngrohje do të vazhdojë edhe për disa ditë. Në përpjekje për të përmbushur misionin tonë, që të ofrojmë ngrohje të mjaftueshme për gjithë konsumatorët, kjo zgjatje e sezonit ngrohës është bërë në koordinim të ngushtë me Komunën e Prishtinës dhe me KEK-un. Ndërkohë, që është në harmoni të plotë edhe me aktet ligjore në fuqi, sipas të cilave në rastet e temperaturave të paqëndrueshme mund të vazhdojmë me furnizimin e jashtëzakonshëm me ngrohje për aq kohë sa do të ketë nevojë”, thuhet në njoftim.

Termokosi ka njoftuar se vendimi për vazhdimin ose ndërprerjen e ngrohjes do të bëhet varësisht nga situata hidrometeorologjike në vend.