Arbëri

Tërhiqet shorti për partitë në zgjedhjet në veri

Është tërhequr shorti i numrave për partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet që do të mbahen për kryetarë dhe asamble të katër komunave në veri të Kosovës.

Iniciativa Qytetare-Mitrovica do të garojë me Betim Osmanin në Komunën e Mitrovicës së Veriut me numrin 111.

Partia Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 112 në garën për kryetar në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut.

Partia e “Serbëve të Kosovës” me Aleksandar Jablanoviqin si kandidat për kryetar të Leposaviqit do të garojë me numrin 113.

Slagjana Pantoviq si kandidate e pavarur do të garojë në Zveçan me numrin 114.

Lëvizja Vetëvendosje me kandidatë për kryetarë të të katër komunave do të garojë me numrin 115.

Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor, ndërsa zgjedhjet për kuvendet komunale do të mbahen më 25 dhjetor.

Të martën në Zubin-Potok dhe në Mitrovicë të Veriut, zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë, derisa kanë tentuar t’i hapin zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore, janë sulmuar me shok-bomba dhe të shtëna në ajër. Është raportuar për disa shpërthime.

Si pasojë e kësaj atyre u është pamundësuar vazhdimi i procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.