Telekomi i Kosovës reagimin e avokatit të përmbaruesit privat, Fisnik Sogojeva, dhe Arben Gashit, kryetar i Odës së Përmbaruesve Privat, mbi vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për pezullimin e përkohshëm të licencës së përmbaruesit privat Ilir Mulhaxhës, e ka quajtur shqetësues.
Në emisionin “Betimi për Drejtësi” të shtunën, Gashi ka thënë se kërcënimet dhe ndërhyrjet politike ndaj punës së përmbaruesve privatë duhet të ndalen dhe se “me vendime të tilla Ministria e Drejtësisë ka ndërhyrë edhe në pavarësinë e komisionit disiplinor të cilin e ka themeluar vetë ministri i Drejtësisë”.
Kurse, Sogojeva pati thënë se për vendimin e MD-së janë duke ndërmarrë veprime ligjore.
Telekomi i Kosovës ka kërkuar përjashtimin e përmbaruesit privat, Ilir Mulhaxha, nga procedimi i çështjes përmbarimore mes Telekomit dhe “Z-Mobile”, por Gjykata Komerciale më 22 nëntor e kishte refuzuar kërkesën. Në arsyetimin e saj thuhej se nuk rezulton dyshimi në paanshmëri në veprimet e ndërmarra përmbarimore nga përmbaruesi privat. Më 10 nëntor Telekomi ka bërë propozimin për inicimin e procedurës disiplinore ndaj Mulhaxhës në Ministrinë e Drejtësisë dhe nga ana e ministrisë ishte pranuar ky propozim më 29 nëntor.
Përmes një komunikate, Telekomi është shprehur se Gashi dhe Sogojeva po bëjnë anime politike në vend se të merren me dëmin e shkaktuar ndaj ndërmarrjes. Ndërsa, ka theksuar se janë inkasuar me detyrim 14 milionë euro më tepër se borxhi real nga vendimi i Arbitrazhit.
Edhe
Telekomi: Edhe në rastin me Z-Mobile pati shkelje nga përmbaruesi Mulhaxha
“Telekomi i Kosovës e sheh të nevojshme të shprehë keqardhje që Kryesuesi i Odës së Përmbaruesve Privat, z. Arben Gashi, jo vetëm që luan rolin e avokatit të z. Mulhaxha, por qëllimisht as nuk e dallon rolin e një përmbaruesi privat prej rolit të një inkasuesi të thjeshtë të borxhit. Për më keq, z. Gashit dhe z. Sogojeva as qe u intereson hulumtimi i se vërtetës rreth dëmit të shkaktuar ndaj Telekomit. Përkundrazi, të njëjtit përpiqen që çështjen kyçe, pra dëmin ndaj Telekomit, ta mënjanojnë nga diskutimi dhe ta reduktojnë ne çështje vetëm procedurale, marrëdhëniesh ndërpersonale dhe animesh politike”.
Telekomi ka thënë se Sogojeva qëllimisht e ka kthyer çështjen në personale.
“Në anën tjetër, avokati i z. Mulhaxha, Fisnik Sogojeva, në vend se të merret me ankesat konkrete të Telekomit, të gjithë këtë dem material ndaj Telekomit, qëllimshëm, e redukton kinse në një mosmarrëveshje ndërpersonale dhe goditje ndaj personit”.
Të papranueshme e ka quajtur që angazhimet e zyrtarëve të TK-së të cilësohen si personale apo private.
Ndërkohë, Telekomi ka rikujtuar se si më 2017 Telekomi dhe Dardafoni kishin nënshkruar marrëveshjen për kompensim të borxhit që kishte rrjedhur nga vendimi i Arbitrazhit. Sipas marrëveshjes, Telekomi i ka dhënë Dardafonit shërbime në emër të kompensimit të borxhit, që ka rrjedh nga vendimi i Arbitrazhit. Vlera mujore e këtyre shërbimeve sipas marrëveshjes është vlerësuar rreth 380,000.00€.
“Dardafoni këto shërbime i ka shfrytëzuar për 30 muaj rresht, pra në total vlera e kompensuar arrin shumën rreth 10.5 milionë €. Edhe pse Dardafon ka shfrytëzuar shërbimet e marra në emër të kompensimit dhe të njëjtat i ka shitur te klientët e tij, duke gjeneruar rreth 15 milionë € të hyra, përmbaruesi nuk ka pranuar që vlerën e shërbimeve prej 10,5 milionë € ta përfshijë në kompensim të obligimit të Telekomit ndaj Dardafonit, ashtu siç parashihte marrëveshja. Vlera reale e shërbimeve të dhëna në kompensim ka qenë së paku dyfish më e lartë sesa vlera e llogaritur sipas marrëveshjes së vitit 2017, por që Telekomi e ka përllogaritur vetëm vlerën në baze të marrëveshjes për kompensim të vitit 2017”, thuhet në shpjegimin e ndërmarrjes.
Edhe
Oda e Përmbaruesve Privatë për rastin e Telekomit: Vendimi i Komerciales, precedent i rrezikshëm
Ndërkohë që Gjykata Komerciale në vendimin e 27 tetorit 2022, këtë shumë të kompensimit e ka vlerësuar si pagesë vullnetare jashtë procedurave përmbarimore dhe e ka lënë në kompetencë të përmbaruesit privat, që përmes ekspertizës financiare ta përfshijë në definimin e obligimeve reciproke të palëve, Telekomi thotë se përmbaruesi Ilir Mulhaxha ka tentuar që përmes “një ekspertize të ngutshme, të njëanshme dhe jo të plotë, të injorojë tërësisht shumën e kompensimit, sipas marrëveshjes së vitit 2017, duke mos e përfshirë fare në kalkulim”.
“Përveç kësaj, përmbaruesi, në urdhrin përmbarimor ka përfshirë shuma përtej Vendimit të Arbitrazhit si dhe ka përllogaritur kamata në emër të kësaj shume (fakt ky i konfirmuar me Aktvendimin e Gjykatës Komerciale të datës 27/10/2022)”.
Po ashtu, thuhet në komunikatë, se si pasojë e zvarritjes së procedurave të përmbarimit, që janë zhvilluar si pasojë e gabimeve të përmbaruesit dhe Dardafonit, ka ngarkuar padrejtësisht dhe jashtëligjshëm Telekomin me kamata në vlerë rreth 3 milionë euro.
“Përmes të gjitha këtyre shkeljeve, përmbaruesi ka inkasuar jashtëligjshëm nga Telekomi i Kosovës shumën prej rreth 14 milionë € më tepër sesa që ishte paraparë me vendimin e Arbitrazhit ndërkombëtar”.
Duke e quajtur manipulim, Telekomi ka shtuar se përsëritja e gabimeve të njëjta e bënë krimin të kryer me vetëdije.
“Ja kujtojmë publikut që mënyra e tillë e manipulimit të procedurave, keqpërdorimit të kompetencave, keqinterpretimeve të ligjit dhe vendimeve arbitrare është rrëzuar njëherë nga Gjykata Kushtetuese dhe përsëritja e gabimeve të njëjta e bënë krimin të kryer me vetëdije dhe ata që nuk e pengojnë krimin i bënë pjesëmarrës në krim”.
Edhe
Telekomi: Gjykata Komerciale urdhëroi kthimin e 4.4 milionë eurove që i mori përmbaruesi privat
Sogojeva në “Betimi për Drejtësi” ka thënë se borxhi i mbetur sipas ekspertizës është 5 milionë e 98 mijë euro.