Jeton me qira në katin e parë të këtij objekti në kryeqytet. Por Samire Abazi, që mbijeton vetëm me ndihmë sociale rrezikon të mbetet pa strehim.
Kjo pasi Komuna e Prishtinës nuk ia ka paguar qiranë për dy muajt e fundit, siç ka bërë në të kaluarën.
Tani, Abazi thotë se pronari i objektit po kërcënon me largim nga shtëpia, por ankohet se nuk ka ku të shkojë, raporton Koha.
Kjo situatë është e vështirë për 40-vjeçaren e papunë që jeton vetëm me vajzën e saj.
Ajo kërkon nga Komuna që të vazhdojë t’ia paguajë qiranë mujore prej 150 eurosh ose t’i sigurojë strehim afatgjatë për jetë më normale.
Komuna thotë se nuk ka mundur të kryejë obligimin e saj për shkak të disa pengesave në kryerjen e pagesave.
Drejtori për Mirëqenie Sociale, Dren Kukaj, ka thënë se së shpejti do të vazhdojnë pagesën e qirasë.
“Për shkak të pengesave objektive që të bëjmë pagesa, e kemi pasur të pamundur të rimbursojmë subvencionimin e qirave, mirëpo të gjitha familjet që kanë pranuar asistencë në pagesën e qirasë vitin e kaluar do ta marrin të njëjtën asistencë edhe këtë vit”, ka thënë Kukaj.
Komuna ua paguan qiranë e banimit mbi 60 familjeve me asistencë sociale.