Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të rinjtë e Kosovës në hall me viza edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal

Foto: Koha / Arkiv

Vendet e Ballkanit Perëndimor, ndajnë një të kaluar të përbashkët të dhimbshme, të përcjellë me konflikte dhe luftëra të influencuara nga paragjykimet dhe intoleranca ndëretnike.

Për të tejkaluar këtë raport jo të mirë mes shteteve të këtij rajoni, viteve të fundit të përkrahur nga faktori ndërkombëtar, kanë filluar një numër i konsiderueshëm i iniciativave rajonale për bashkëpunim.

Duke parë që gjeneratat e reja në këto shtete janë duke e vuajtur mungesën e komunikimit të krijuar me dekada, përfaqësues politikë e institucionalë të këtyre vendeve të përkrahur nga faktori ndërkombëtar, nisën disa procese të pajtimit.

Ishte takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor i mbajtur në vitin 2014 që shërbeu si pikënisje për një sërë iniciativash që do të njiheshin më vonë si projekte të “Procesit të Berlinit”.

Mirëpo, deri më tani, nisma që mund të konsiderohet si më e suksesshmja e “Procesit të Berlinit”, është Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) me seli në Tiranë.

Përfaqësues të kësaj zyre thonë se RYCO ka nisur së ekzistuari në vitin 2016, të frymëzuar nga përvoja e Zyra Rinore Franko-Gjermane.

Mirëpo, si nisi gjithçka dhe cilat ishin sfidat me të cilat themeluesit e kësaj zyre u ballafaquan në fillim..?

Vedat Jashari, përfaqësues i Kosovës në grupet punues për krijimin e RYCO-s, tregon për sfidat të cilat ai me bashkëpunëtorë i kanë kaluar deri në aktin final, themelimin e kësaj zyre.

Jashari i cili njëherësh është edhe udhëheqës i Divizionit për Zhvillim të Politikave Rinore në MKRS thotë se sfida kryesore ka qenë konsensusi mes shteteve të rajonit për statutin e kësaj organizate.

“Sfidat kanë qenë të numërta si koha e shkurt për të përfunduar draftin final të marrëveshjes dhe të statutit, pastaj arritja e konsensusit nga gjashtë shtetet negociuese për çdo çështje, dallimet e mëdha ndërmjet gjashtë shteteve po ashtu kanë qenë sfiduese”.

Ndërsa përmend edhe sfidën e udhëtimit, duke marrë parasysh pajisjen me viza gjatë udhëtimeve në vendet e BE-së, Jashari në anën tjetër, i vlerëson si shumë të dobishme përvojat e shprehura nga përfaqësues të zyrës Franko-Gjermane. “Ne si Kosovë kemi pasur edhe problemin me marrjen e vizave në takimet e organizuara në Bosnjë e Gjermani e Francë. Megjithatë, përfaqësuesit e shteteve në grupin e punës kanë qenë profesional, të rinj dhe mendje të hapur duke shikuar drejtë të ardhmes, por gjithashtu kemi pasur fatin që, në ekipen tonë të kemi në cilësinë e moderuesve përfaqësuesit nga Zyra Franko-Gjermane e të Rinjve”.

Në vitin e dytë të funksionimit, RYCO është duke dëshmuar se është një iniciativë e qëlluar. Gjëtë kësaj periudhe, kjo organizatë ka shpallur thirrje për mbështetje të projekteve për organizata nga rajoni, si dhe një sërë aktivitetesh tjera.

RYCO si organizatë ndërkombëtare është e themeluar nga 6 shtete pjesëmarrëse – Shqipëria, Bosna dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia, me qëllim që të promovojnë pajtimin dhe bashkëpunimin e të rinjve në rajon.

Artikuj të ngjashëm