Tri nga pesë marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit, nuk kanë gjetur zbatim ende. Mes tyre është edhe marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave midis Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Referuar këtij rasti, por edhe ngecjeve në zbatimin e marrëveshjeve të tjera, zyrtarë të Komisionit Evropian (KE) janë skeptikë për përfitimet që mund t’i sjellë takimi i radhës në Berlin
Probleme të shumta e kanë shoqëruar procesin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura ndër vite në kuadër të Procesit të Berlinit.
Zyrtarë të Gjermanisë, shtet që e ka iniciuar nismën në vitin 2014, e kanë cilësuar sukses shmangien e përjashtimit të Kosovës nga ky proces, për shkak të masës ndaj produkteve serbe, tek kanë paralajmëruar efikasitet në zbatimin e marrëveshjeve të reja. Por tri nga pesë marrëveshjet e firmosura në nëntor të 2022-tës nuk janë zbatuar ende. Mes tyre, edhe Marrëveshja për lirinë e lëvizjes me letërnjoftim në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në rastin e Kosovës dhe të Bosnjë-Hercegovinës, kjo nënkupton heqjen e regjimit të vizave. Derisa Kosova e pati ratifikuar marrëveshjen, Bosnjë-Hercegovina këtë ende nuk e ka bërë.
Problemet që ekzistojnë në zbatim i kanë përmendur edhe zyrtarë të Komisionit Evropian (KE) në një diskutim, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit.
“Nëse ka diçka që po funksionon mirë, është bashkëpunimi rajonal dhe kjo është shumë e lidhur me zgjerimin. Do të më pëlqente të shihja në samitin e ardhshëm më shumë marrëveshje për lëvizshmërinë që po nënshkruhen e edhe më shumë që po zbatohen, sepse nuk duhet të harrojmë që kemi pesë marrëveshje për lëvizshmërinë, por tri prej tyre janë të bllokuara në kuptimin e zbatimit të plotë. Për shembull, marrëveshja për udhëtimin me ID në Bosnjë-Hercegovinë nuk është e mundur me Kosovën. Pra, ende kemi një çështje aty”, ka thënë Wojciech Kowalski, këshilltar për Strategjinë e Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian.
Heqja e vizave me Kosovën është kundërshtuar prej vjetësh nga politikanë të Bosnjë-Hercegovinës, përkatësisht nga entiteti serb i kryesuar nga presidenti Millorad Dodik. Deputetë të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, më 27 qershor të 2023-tës e patën stopuar miratimin e Marrëveshjes për liri të lëvizjes në Ballkanin Perëndimor. Krahas Serbisë, Bosnjë-Hercegovina është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës.
Për njohje kërkohet pëlqimi i të tre anëtarëve të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe që nga viti 2008, kur Kosova e ka shpallur pavarësinë, të gjithë anëtarët nga Republika Sërpska e kanë kundërshtuar atë.
Zyrtarë të KE-së kanë shprehur skepticizëm se do të ketë përparim në marrëveshjet e tjera të Procesit të Berlinit, përderisa nuk zbatohen ato aktualet.
”Ende kemi çështje me njohjen e kualifikimeve akademike. Tani kemi një marrëveshje të re të nënshkruar në samit për qasje në studime, por kjo nuk do të ecë përpara, derisa të zgjidhen çështjet e tjera. Kështu që do të doja të shihja më shumë marrëveshje dhe përparim në zbatimin e tyre. Dhe nëse ky është i gjithë Procesi i Berlinit që realizohet në dy vjet, do të ishte fantastike”, ka potencuar Kowalski.
I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës, Rene Troccaz, ka deklaruar se zgjerimi i BE-së me vendet e rajonit është një realitet dhe se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Ai ka theksuar se tensionet e brendshme, si një trashëgimi e së kaluarës, janë “pengesa më e madhe” për përparimin e rajonit drejt integrimit në BE.
“Nuk duam t’i japim leksione askujt, por duam ta ndihmojmë rajonin të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, sepse nuk mund të imagjinojmë një të ardhme ndryshe për rajonin”, ka thënë Troccaz.
Ai e ka nënvizuar rëndësinë që të sigurohet se procesi i zgjerimit në rajon të mbetet i bazuar në meritë.
Kurse Maida Gorçeviq, ministre e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, ka vënë në dukje se ky vit ka qenë shumë i suksesshëm për sa i përket integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor. Krahas përparimit të Malit të Zi në këtë aspekt, ajo ka theksuar se Bosnjë-Hercegovina i ka hapur negociatat dhe se Shqipëria pritet të bëjë përparime së shpejti. Gorçeviq ka thënë se Mali i Zi mbetet lider në rajon dhe ka vlerësuar se tani ka një konkurrencë pozitive mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, “pasi gjërat po ecin përpara pas vjetëve të stagnimit”.
Të mërkurën, Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s ka miratuar 9 marrëveshje të reja që synojnë të transformojnë tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik.
“Vetëm disa ditë para përvjetorit të 10-të të Procesit të Berlinit, CEFTA po bën një hap vendimtar drejt realizimit të vizionit për një treg të përbashkët rajonal. E bazuar në rregullat dhe praktikat më të mira të BE-së, këto marrëveshje do të afrojnë tregjet e CEFTA-s me Tregun e Vetëm të BE-së dhe do të zhbllokojnë potencialin e Planit të Ri të Rritjes së BE-së”, është shkruar në komunikatën e CEFTA-s.
E Danijela Gaçeviq, drejtore e përkohshme në sekretariat, ka thënë se CEFTA ka një rëndësi thelbësore për lëvizjen e lirë të mallrave dhe të shërbimeve, duke i nxitur rritjen ekonomike dhe integrimin.
“Me këto vendime, po krijojmë një hapësirë ekonomike më të fortë dhe më të unifikuar, ku bizneset mund të rriten më shpejt dhe konsumatorët janë të mbrojtur edhe kur blejnë përtej tregjeve lokale. Ky është një moment i rëndësishëm për CEFTA-n, ndërsa po afrohemi më shumë me tregun e BE-së. Përfitimet do të ndihen në të gjithë CEFTA-n. Kompanitë e vogla dhe të mesme do të fuqizohen për të eksportuar dhe për të shfrytëzuar më së miri tregjet digjitale, ndërsa të gjithë ne do të përfitojmë nga më shumë zgjedhje, çmime më të mira, cilësi dhe mbrojtje më të fuqishme të konsumatorit”, ka theksuar ajo.
Mes tjerash, është arritur marrëveshja për njohjen e Programeve AEO; Lehtësimi i Tregtisë Elektronike; Marrëveshja për dorëzimin e Pakove midis vendeve të CEFTA-s; Parandalimi i Geo-bllokimit të Pajustifikuar; Aspektet Tregtare të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale (IPR); Krijimi i një Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Rrezikut; Lehtësimi i Tregtisë së Shërbimeve nga Agjencitë e Udhëtimit dhe Operatorët Turistikë. Po ashtu është miratuar edhe një Mekanizëm i Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve. Protokolli Shtesë do të shërbejë si një mekanizëm i ri për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare si dhe do të sigurojë drejtësi dhe transparencë, duke rritur besimin e bizneseve në zbatimin e rregullave të lehtësimit të tregtisë të CEFTA-s.
“Për më tepër, Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s ka miratuar tri vendime të tjera që synojnë reformimin e çështjeve të tij të brendshme. Këto reforma prezantojnë Rregulla të reja të Procedurës për Komitetin e Përbashkët, përditësojnë Vendimin që rregullon funksionimin e Sekretariatit dhe krijojnë organe të reja për të mbikëqyrur bashkëpunimin në fusha të reja si dorëzimi i pakove, të drejtat e pronësisë intelektuale dhe kualifikimet profesionale”, shkruan në komunikatën e sekretariatit të CEFTA-s.
Të mërkurën është zhbllokuar Marrëveshja e Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe më Kosova nuk do të përfaqësohet me emrin UNMIK.
Më 14 dhe 15 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz do të mbahet takimi i Procesit të Berlinit, ku synohet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë. Aktualisht, tregtia e lirë realizohet nëpërmjet CEFTA-s.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se e sheh si hap pozitiv faktin që një vendim i tillë është marrë pikërisht në takimin e zhvilluar në Beograd.
Vendimi ka pasuar ndryshimin nga Qeveria në Kosovë të masës së sigurisë ndaj mallrave nga Serbia prej “ndalim” në “kontroll i shtuar”.
Procesi i Berlinit është një iniciativë e Qeverisë gjermane nga viti 2014 dhe një platformë e përbashkët për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian (KE), disa vende të BE-së dhe Britaninë e Madhe, e cila synon që ta mbështesë afrimin e vendeve të Ballkanit me Bashkimin Evropian.