Të mërkurën në mëngjes do të nisë procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në çështjen ndaj Salih Mustafës.
Aktakuza ndaj tij u konfirmua më 12 qershor dhe versioni përfundimtar u bë publik në fund të shtatorit.
Kundër tij janë ngritur akuza mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale dhe penale si epror për katër krime lufte: ndalim arbirtrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Pretendohet se krimet janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill 1999.
Në ditën e parë kryegjykatësja do të kërkojë që të akuzuarit t’i lexohet aktakuza, të informohet për të drejtat dhe obligimet e tij dhe ta pyesë nëse dëshiron t’i qëndrojë deklarimit të tij të mëhershëm.
Mustafa është vetëdeklaruar i pafajshëm.
Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ketë tri orë për deklaratën e vet hapëse. Më pas, mbrojtësja që përfaqëson viktimat pjesëmarrëse do të ketë një orë e gjysmë për deklaratën e saj hapëse.
Edhe
Caktohet seanca e apelit në çështjen kundër Salih Mustafës
Siç ka njoftuar Specialja të martën, deri më tani, “si viktima pjesëmarrëse në proces janë pranuar nëntë persona dhe procesi i paraqitjes së kërkesave është i hapur”.
“Personat që mund të demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të renditur në një aktakuzë publike të konfirmuar nga DHSK-ja, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces. Këtu përfshihen persona që kanë pësuar dëm drejtpërdrejtë, si dhe persona që kanë lidhje të ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë të vrarë ose të lënduar. Trupi Gjykues ka planifikuar disa seanca për muajt shtator dhe tetor. Gjykatësit kanë bërë të ditur se Prokuroria do të ketë 87 orë për paraqitjen e provave të veta. Prokuroria ka plan të thërrasë 16 dëshmitarë, 15 prej të cilëve do të dëshmojnë në sallën e gjyqit”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë nga Dhomat e Specializuara është njoftuar se më 23 shtator në orën 9:00 do të mbahet konferenca e tretë në çështjen kundër Pjetër Shalës.