Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbrojtja e Mustafës të martën paraqet deklaratën hyrëse para trupit gjykues në Hagë

Mbrojtja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të paraqesë të martën, deklaratën hyrëse para trupit gjykues në Hagë. Kjo shënon fillimin e çështjes së mbrojtjes, e cila tutje do të vazhdojë me provat dhe dëgjimin e 17 dëshmitarëve.

Sipas gjykatës, para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në seancën e së hënës (21 mars) do të paraqitet një viktimë, të cilën trupi gjykues ka marrë vendim që ta dëgjojë me kërkesë të avokates së viktimave.

Gjithashtu, trupi gjykues ka vendosur që pas kësaj mbrojtësja e viktimave të mund të bëjë parashtrime.

Më 23 mars është caktuar të dëgjohet dëshmitari i parë i mbrojtjes, ndërsa turpi gjykues i ka lënë avokatit 36 orë në dispozicion për të marrë në pyetje 17 dëshmitarët e paraparë.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm. /KSP