Mundësia e diskutimit të çështjes së Trepçës në Bruksel në dialog me Serbinë, i ka alarmuar politikanët në Prishtinë.
Deklarata e zëdhënëses së Mogherinit, Maja Kocijançiq se qëllimi i BE-së është që çështjet e hapura të zgjidhen me dialog, është kundërshtuar ashpër.
Kryeministri Ramush Haradinaj në reagimin e parë shkroi se Bashkimit Evropian, i ka humbur rruga në oborr.
Ai e ka cilësuar një deklarata të tillë të papranueshme, që e cenon sovranitetin e shtetit dhe mund të nxisë destabilitet.
I shkurtër në deklarimin e tij ka qenë kryekuvendari Kadri Veseli.
“Trepça, as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të jetë çështje e hapur në dialogun me Serbinë. Me këtë gjuhë, BE-ja është duke e rrënuar çdo perspektivë të dialogut dhe fqinjësisë së mirë. Trepça është e drejtë natyrore e shtetit të Kosovës. Sot dhe përgjithmonë”, ka shkruar Veseli.
Unitet rreth Trepçës ka kërkuar, ish-kryeministri Isa Mustafa, duke përmendur faktin se një unitet të tillë Kosova e pati në vitin 2016 kur u votua Ligji për këtë ndërmarrje, frymë që vazhdoi edhe me miratimin e statutit këtë fundjavë me 2/3 në Kuvend.
“Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë”, ka shkruar kreu i LDK-së Mustafa
Gjykata Kushtetuese, në tetorin e 2016-s, kishte rrëzuar pretendimet e Listës Serbe për Trepçën, duke e konsideruar kushtetues Ligjin që e kalonte 80 për qind të Trepçës në pronësi të Qeverisë.