Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tanin thotë se nuk mund të falet përdorimi i forcës në arrestimin e dy punonjësve të UNMIK-ut

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, e ka informuar Këshillin e Sigurimit lidhur me rezultatet e një hetimi disamujor të ekspertëve të OKB-së që nuk janë pjesë e UNMIK-ut, ku sipas tij u përfshinë intervista me më shumë se 50 dëshmitarë dhe shqyrtime të shumta të dëshmive fotografike dhe videoincizimeve gjatë një rishikimi të përgjithshëm të ngjarjeve të 28 majit, kur dy punonjës të UNMIK-ut u arrestuan nga policia e Kosovës gjatë një operacioni të madh policor në mbarë Kosovën.

Tanin ndau gjetjet kyçe të hetimeve, duke përfshirë se ato, sipas tij, nuk dhanë prova për ndonjë keqbërje nga personeli i UNMIK-ut, të cilët ishin në detyrë zyrtare në kohën kur u arrestuan dhe ishin vetidentifikuar në mënyrë të qartë si punonjës të OKB-së. Hetuesit gjetën sa ka pasur “përdorim të tepruar të forcës nga Policia e Kosovës” që rezultoi me lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje, humbje të të dëgjuarit dhe stres post-traumatik, si dhe që policia voziti dhe mbajti një automjet të UNMIK-ut.

“Përdorimi i forcës së tepruar, ndërhyrja me pronën e Misionit dhe vazhdimi i procedurës penale kundër dy pjesëtarëve të stafit, janë shkelje e qartë e kornizës ligjore në fuqi. Këto veprime janë të papranueshme dhe nuk duhen të falen,” deklaroi Tanin.

Duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha procedurave penale kundër pjesëtarëve të stafit, PSSP Tanin po ashtu lavdëroi frymën bashkëpunuese, me të cilën autoritete e Kosovës pranuan gjetjet e raportit gjatë angazhimeve të fundit.

“Për aq kohë sa ky Këshill e ka mandatin për praninë ndërkombëtare në Kosovë, unë pres që institucionet e Kosovës dhe UNMIK-u të veprojnë duke respektuar në tërësi njëri- tjetrin. Ne jemi krenar që UNMIK-u luajti një rol qendror në formimin e Policisë së Kosovës dhe të gjyqësorit, dhe ne shpresojmë se qëllimi i tyre është të trajtojnë çdo dështim dhe të veprojnë në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare.”