Derisa shefi i UNMIK-ut me kritikat ndaj Kosovës doli në të njëjtën vijë me Serbinë dhe Rusinë, presidentja Osmani i hodhi poshtë ato, duke kërkuar edhe mbylljen e misionit të OKB-së. Serbinë e paralajmëroi që të mos mashtrohet: “Republika e pavarur e Kosovës nuk shkon askund. Më mirë të ballafaqoheni me këtë realitet”. Fundin e misionit të UNMIK-ut e mbështeti edhe SHBA-ja
Zhvillimet e javëve të fundit në veri kanë dominuar diskutimet e disa shteteve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Misioni i UNMIK-ut, Serbia e Rusia, për tensionet në këtë pjesë të Kosovës, ia kanë vënë fajin Kosovës, duke thënë se ka vepruar në mënyrë të njëanshme dhe pa koordinim paraprak. Por, kundërpërgjigje të fortë ka dhënë presidentja Vjosa Osmani, duke argumentuar se veprimet në veri ishin luftë kundër krimit, ndërsa raportimin e UNMIK-ut e ka cilësuar si të njëanshëm. Ajo, në fjalën e saj, ka thënë edhe se është koha që misioni i OKB-së, UNMIK, të përfundojë. Një qëndrim i tillë është mbështetur nga ambasadori i SHBA-së në OKB.
UNMIK-u dhe Serbia, në një vijë
Seanca e rregullt për Kosovën e Këshillit të Sigurimit ka nisur me raportimin e përfaqësuesit special, shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin. Ai në paraqitjen e tij i ka cilësuar si të dëmshme aksionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit.
“Në mëngjesin e 20 shtatorit, Prishtina ka nisur një operacion policor në Kosovën veriore me qëllim të zbatimit të masave të reja për targat. Duke marrë parasysh diskutimet e ndjeshme dhe të kamotshme për lirinë e lëvizjes përmes dialogut të mbështetur nga BE-ja do të ishte e natyrshme të pritej një komunikim me ata që preken. Megjithatë, komunikimi ka qenë i paktë apo fare. KFOR-it s’i është dhënë njoftim paraprak”, ka thënë Tanin, duke shtuar se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës ishin për disa ditë përballë protestuesve që bllokuan rrugët në Jarinjë e Bërnjak.
Tanin ka thënë edhe se aksioni i fundit kundër kontrabandës ka nxitur tensione derisa kanë rritur edhe mosbesimin te qytetarët serbë.
“Operacioni provokoi tensione dhe konfrontime që përfunduan me disa të lënduar. Ka pasur edhe kërcënime për jetë të shkaktuara nga të shtënat e policisë. Popullata civile në veri raportoi lëndime nga gazi lotsjellës dhe granatat zhurmuese që i përdori policia. Protestuesit gjuajtën me gurë dhe sipas policisë disa të dyshuar përdorën armë zjarri kundër policisë”, ka thënë ai.
Ai ka lënë në hije dhunën e ushtruar nga protestuesit serbë, barrikadimin dhe bllokimin e rrugëve, sulmet ndaj forcave policore, e as sulmet ndaj gazetarëve.
Shefi i UNMIK-ut, madje, ka përkrahur iniciativën “Ballkani i Hapur”, të cilën Kosova në vazhdimësi e ka kundërshtuar.
Situatën në Kosovë e ka paraqitur dramatike edhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, i cili me gjuhën tashmë të rëndomtë për zyrtarët serbë, ka thënë se aksionet e javëve të fundit ishin të drejtuara kundër serbëve lokalë. “Institucionet e përkohshme kanë vazhduar të ndërmarrin hapa të njëanshëm. Diskriminimi ndaj serbëve dhe kishës serbe ka vazhduar. Veprime të tilla po ndërmerren çdo ditë nga Prishtina me ritëm të përshpejtuar dhe janë duke i shkelur marrëdhëniet e arritura nga dialogu në Bruksel”, ka thënë Selakoviq, i cili veprimet e institucioneve të Kosovës i konsideron “provokime”.
“Qëllimi i hyrjes së forcave speciale në veri ishte provokim i serbëve dhe për të provokuar Beogradin për të reaguar ngutshëm”, ka thënë Selakoviq, i cili u ankua edhe për moszbatim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, në veçanti për mosformimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Osmani: Lufta kundër krimit nuk është e negociueshme
Deklarimeve të shefit të UNMIK-ut e të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, i është kundërpërgjigjur presidentja Vjosa Osmani, e cila u ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që buxhetin që shpenzojnë për UNMIK-un ta përdorin për diçka tjetër, më të dobishme.
Derisa ka folur për aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës, presidentja Osmani ka thënë se ai nuk ka qenë një-etnik. “Lufta kundër këtij krimi të organizuar në veri ose në jug nuk është e negociueshme. Lufta kundër këtij krimi është shumetnike, policë serbë e shqiptarë, prokurorë shqiptarë e serbë po e luftojnë së bashku krimin”, ka thënë ajo.
Ajo tutje citoi edhe deklaratën e KFOR-it, në të cilën thuhej se policia ka autoritet të plotë për të marrë aksione kundër krimit të organizuar dhe për ta bërë këtë nuk kanë nevojë për leje. Gjithashtu, përmendi edhe deklarimet nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe që e kanë përkrahur Kosovën në përpjekjet kundër krimit të organizuar.
E ministrit serb Selakoviq ajo i ka kërkuar që të mos mbajë ligjërata për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, duke thënë se është Serbia ajo që nuk i zbaton ato.
“Kur flisni për marrëveshjen për Asociacionin, Gjykata Kushtetuese e jona ka qenë mjaft e qartë se ajo marrëveshje ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani shtoi se janë të angazhuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e i cili sipas saj është në mes të dy palëve të barabarta. “Kosova ka qenë, është dhe do të jetë e pranishme në tavolinën (e bisedimeve), por gjithashtu të angazhohet në mënyrë aktive në dialog ku qëllimi përfundimtar është njohja reciproke”, tha ajo.
“E çka nuk është qëllimi është që ky dialog do të shpëtojë karrierën personale të asnjë politikani në Serbi që është i përfshirë në proces. Ky proces nuk ka të bëjë me shpikjen e aventurave të rrezikshme që i takojnë shekullit të 19-të. Nuk është dhe nuk do të jetë, siç do të donin homologët tanë (Serbia) për statusin e Kosovës, që është zgjidhur një herë e përgjithmonë më 2008”, tha ajo.
Serbia të kërkojë falje për gjenocid në Kosovë, thotë presidentja Osmani
Fjalimi i presidentes Osmani është pritur me tërbim nga ministri serb, i cili madje e quajti atë edhe “gënjeshtare” dhe hodhi disa fyerje dhe insinuata në drejtim të Kosovës dhe institucioneve të saj.
Selakoviq vazhdimisht i është referuar Osmanit si qytetare e Serbisë, teksa i kërkoi asaj të ngrihet në këmbë kur përmend emrin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka përmendur edhe emrat e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, duke shprehur pretendimet se ata kanë kryer krime dhe trafikim me organe njerëzish.
Si kundërpërgjigje, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga ministri Selakoviq, që të gjunjëzohet para monumenteve të viktimave të luftës në Kosovë dhe të kërkojë falje për gjenocidin e kryer në Kosovë nga Serbia. Ajo ia ka përmendur vazhdimisht masakrën e Poklekut dhe 54 viktimat e saj, duke i kërkuar të gjunjëzohet para pllakës përkujtimore.
Në përgjigjen e saj, Osmani i ka quajtur të gjitha deklarimet e Selakoviqit propagandë. Ajo i është drejtuar atij me fjalët se është “qytetare krenare e Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës”.
“Republika e pavarur nuk shkon askund. Më mirë të ballafaqoheni me këtë realitet. Që edhe ju, edhe qytetarët tuaj të shohin një të ardhme në paqe ku udhëheqësit s’bëjnë lufta e destabilizime. Populli juaj ka vuajtur shumë nga ju. Jo vetëm ne, por edhe ata. Ekziston një tragjedi prapa secilit refugjat. Kam qenë vetë një e tillë, dhe mbi 80 për qind e popullit të vendit tim kemi qenë të detyruar të ikim nga regjimi gjenocidal i Milosheviqit që po lartësohet tash çdo ditë”, ka thënë ajo.
SHBA: Koha për ta përmbyllur UNMIK-un
Thirrje për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e shteteve të tjera pjesëmarrëse. Sipas SHBA-së, Francës e Britanisë së Madhe, dialogu mes dy shteteve është e vetmja rrugë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit tha se dialogu mbetet platforma më e mirë për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për të normalizuar marrëdhëniet, përmes arritjes së një marrëveshjeje mbi njohjen reciproke. “Ne e dimë që UNMIK-u nuk ka luajtur ndonjë rol kyç në zgjidhjen e tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave. Shtensionimi i situatës përmes një mbështetjeje të përkohshme të ofruar nga KFOR-i tregon se organizatat e tjera mund ta bëjnë rolin e tyre më mirë. Ngjarjet e fundit edhe njëherë tregojnë se UNMIK-u ka përmbushur qëllimin e tij, që e ka pasur në mandatin origjinal. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të vazhdojmë drejt përmbylljes së misionit të tij. Ky këshill ka përgjegjësinë që ta vendosë vëmendjen dhe burimet e tij në zonat dhe çështjet ku ka më së shumti nevojë”, tha ai.
Kurse përfaqësuesja e Francës në OKB tha se mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë çështje e sigurisë evropiane. “Kjo krizë është një ilustrim i faktit se nuk ka asnjë alternativë tjetër, as për Serbinë apo Kosovën përveç një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese që zgjidh mosmarrëveshjet mes dy shteteve”.
Kurse, përfaqësuesja e Britanisë së Madhe bëri thirrje që palët t’u shmangen gjuhës dhe aksioneve që mund ta përshkallëzojnë situatën, derisa theksoi nevojën që të dyja palët në kuadër të dialogut në Bruksel të gjejnë një zgjidhje për lëvizjen e lirë.
Tanin qëllimshëm i shmang faktet
Ndaj deklarimeve të shefit të UNMIK-ut, ka reaguar shpejt shefi i stafit të presidentes Vjosa Osmani.
Blerim Vela, në një postim në “Twitter”, ka thënë se Zahir Tanin qëllimshëm i shmang faktet nga terreni.
“Injorimi i veprimeve të dhunshme të strukturave ilegale të Serbisë në Kosovën veriore vetëm se do t’i trimërojë ato struktura që ballafaqohen me agjencitë e rendit dhe ligjit që punojnë për të siguruar sundimin e ligjit. Çfarë humbje e fondeve të shteteve anëtare të OKB-së”, ka shkruar Vela.
Ndërsa për deklarimet e ministrit serb, Vela tha se ishte plot gënjeshtra dhe promovim të ndasive dhe dhunës në Kosovë.
“Varësia e regjimit të Vuçiqit ndaj barotit dhe shpërndarjes së urrejtjes është shumë mirë e dokumentuar – sikur ajo e Milosheviqit. Serbia po e rrezikon paqen me strukturat e saj ilegale dhe ndërhyrjet ushtarake”, ka shkruar Vela në “Twitter”.