Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë të enjten, në atë që e ka quajtur “takim vëllazëror”.
Haradinaj dhe Rama kanë pasur marrëdhënie të tensionuar kur kryetari i AAK-së ishte në pozitën e kryeministrit të Kosovës. Madje, Rama e kishte paditur Haradinajn, të cilën më vonë e kishte tërhequr. Në një deklaratë së fundmi, Rama pati thënë se “e ka më mik Albin Kurtin sesa Haradinajn”, duke komentuar marrëdhëniet me kryeministrin aktual të Kosovës.
Sipas njoftimit, Haradinaj i kërkoi Ramës ta ndihmojë Kosovë në tejkalimin e sfidave dhe të përshpejtojë integrimin e saj.
“Sot në Tiranë një takim vëllazëror me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me dialogun, sigurinë dhe perspektivën e integrimeve euro-atlantike. I kërkova kryeministrit shqiptar që në të gjitha nivelet e bisedave me faktorin ndërkombëtar e kombëtar të ndihmojë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova dhe të përshpejtojë integrimin e saj. E falënderova përzemërsisht për kujdesin e tij dhe të Shqipërisë në këtë periudhë jo të lehtë që po kalon Kosova”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
-
Rama për Kurtin: Qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat të ndryshme
-
Përvjetori i 18-të i Pavarësisë bën bashkë në Prishtinë liderët e Kosovës e Shqipërisë
-
Marrëdhëniet ndërshtetërore në fokus të takimit Kurti–Rama
-
Kurti pret në takim Ramën
-
Pas rreth dy vjetësh, ndodh takimi bilateral mes kryeministrave Kurti e Rama