Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: VV-ja dëshiron ta legjitimojë rritjen e çmimit të rrymës

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se Lëvizje Vetëvendosje po synon të legjitimojë rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Tahiri përmes një postimi në Facebook potencoi se partia e Albin Kurtit po pyet se sa duhet të shtrenjtohet energjia elektrike e jo si të mos rritet çmimi i saj fare.

“Prandaj, ne kemi kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe do ta kundërshtojmë me çdo mjet demokratik e ligjor, këtë barrë të rëndë që po iu shërbehet qytetarëve nga sinkroni Qeveri-ZRRE”, ka deklaruar Tahiri.

Të hënën, Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar komente në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, ku si propozim ishte që për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh të mos ketë ndryshim tarifash.

Ndërkaq, PDK-ja që drejtohet nga Memli Krasniqi, nuk ka dorëzuar komente në ZRRE, pasi thonë se qëndrimin e tyre e kanë bërë të qartë në disa seanca parlamentare.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 77 milionë euro për subvencionimin e një numri të konsumatorëve. Për ekzekutivin rritja e çmimit të rrymës është si rezultat i krizës globale energjetike.

Edhe AAK: Ekonomia, buzë kolapsit, mos guxoni ta shtrenjtoni energjinë elektrike LAJMET E MBRËMJES AAK: Ekonomia, buzë kolapsit, mos guxoni ta shtrenjtoni energjinë elektrike

Por, opozita e akuzon Kurtin se e ka neglizhuar çështjen e krizës energjetike, duke marrë si mostra vendet e rajonit.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, beson se është e iracionale të besohet se në këtë kohë krize të mos ketë reduktime, rritje të çmimit të rrymës e as subvencionim.