Besnik Tahiri, këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka arsyetuar humbjen e 20 mijë dollarëve gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të mbajtur në shtator në New York.
Sipas tij, dëmi mund të ishte shumë më i madh sikur të mos merrej vendim për anulimin e një eventi të planifikuar nga Kosova për të pritur delegacionet botërore. Në Interaktiv të KTV-së, Tahiri ka thënë se Kosova ka shpëtuar dhe nuk ka humbur me vendimin për anulim.
Eventi i dështuar në New York ia avullon Kosovës 20 mijë dollarë
“Në këtë ngjarje është planifikuar të ketë pritje për të gjitha delegacionet. Por kur kemi shkuar kemi parë se është e pamundshme sepse është si panair, vetëm vrapojnë, flasin, bëjnë fotografi. Edhe fotografët duhet të jenë vetëm të akredituar. Ka dinamikë shumë të madhe. Kur ne e bëmë planifikimin kemi menduar të kemi pritje shtetërore. Por e pamë se realizimi i saj nuk do të kishte efekt. Do të ishte harxhim shumë i madh. Normalisht hoteli e ndali garancionin. Këtu nis dhe përfundon gjithçka. Nuk është se dikush i mori ato para”, ka thënë ai.
Sipas tij, nuk ka pas keqpërdorim me këto para. Ai ka pranuar se megjithatë, është dashur të ketë një plan dhe ide më të mirë për këtë ngjarje.
“Ne diskutuam me ambasadën. E kuptoj që ka lojëra politike, por edhe këtu është lojë politike. 'Hajde ta zëmë se këta shkuan e i harxhuan 20 mijë euro'. Nuk është ashtu. Askush s’e ka harxhuar asnjë cent. E kemi planifikuar një ngjarje për të treguar shtetin tënd në një ngjarje kaq të madhe. E kemi pa se mund të dështojë, sepse dinamikat ishin të mëdha. Nuk ka dështuar totalisht. Jam shumë i lumtur që s’ka ndodhur. Kemi mundur me i humb 60 mijë, me bë koktej e me bë pritje. Kemi shpëtuar, nuk kemi humbur me këtë vendim. Është sikur dasma, e paguan për 500 mysafirë e vijnë 20 mysafirë. Mund të pranoj pak një faj që është dashtë të paraplanifikojmë, por është vendim i gjerë me një ide që të gjithë të jemi nikoqirë. Nuk kemi humb. I ke humb 20 mijë, por kemi mundur t’i humbim 50-60 mijë. E kemi menaxhuar një dëm”, ka shtuar ai.
Edhe
Si i “arsyeton” Haradinaj 20 mijë dollarët e shpenzuar kot në New-York
Tahiri nuk ka pranuar të flasë se a ishte presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i vetmi që kishte pranuar të shkonte në këtë event. Ka thënë se kanë parë që s’po vijnë delegacione dhe kanë vlerësuar se do të ishte problem për shtetin, sikur të mos vinin të gjithë të ftuarit.
“Kemi pa që nuk po vijnë dhe kemi marrë vendim strategjik, për të ndalur një gjë që ka mundur të jetë kontraefekt. Po të mos vinin 20 shtete do të ishte problem”, ka shtuar ai.