Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: Rritja e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, investim për një gjyqësor efikas

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri thotë se rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndikon në shtimin e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Krahas bazës ligjore dhe pavarësisë së plotë për të mbrojtur ligjshmërinë mbi të cilën zhvillohet një shtet bashkëkohorë, tani e tutje gjyqtarët dhe prokurorët tanë do të kenë pagat më të dinjitetshme në rajon. Natyrisht kjo rrit edhe pritjet tona për shtim të efikasitetit në angazhimin e tyre për zbatimin e mirëfilltë të ligjit, luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe qasjen në drejtësi kuptimplote dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.

Ministri Tahiri thotë se rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të shihet si investim “drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë për një gjyqësor efikas, të pavarur dhe llogaridhënës”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendim që të rrisë pagat për kabinetin qeverisës. Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Vendimi për rritjen e pagave për Qeverinë ishte pezulluar për një kohë dhe lënda ishte dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, shkruan REL.

Por, më 11 qershor, Kushtetuesja doli me interpretimin se vendimi për rritjen e pagave nuk ishte jokushtetues.

Edhe Ministri Tahiri thotë se rritja e pagave në sektorin e drejtësisë do të sillte rezultate më të mira Arbëri Ministri Tahiri thotë se rritja e pagave në sektorin e drejtësisë do të sillte rezultate më të mira

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Haradinaj ishte shprehur se nga kjo rritje përfitojnë më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët.

"A e dini sa i vogël është numri i pushtetarëve që përfitojnë nga rritja e pagave? Këtu përfitojnë direkt 600 gjyqtarë dhe prokurorë. Pra, mos harroni, sot fitues janë ata. Edhe ne po flasim për rend dhe ligj, po hartojmë ligje të mira. Sot u ka shkuar përkrahja më e fuqishme institucioneve të zbatimit të ligjit, në këtë rast nga sot 600 gjyqtarë dhe prokurorë i kanë pagat me ngritje”, kishte deklaruar Haradinaj gjatë një mbledhje të Qeverisë.