Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka quajtur skandaloze deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Muratit, në Facebook vite më parë ndaj veteranëve të UCK-së.
Ai ka thënë se Qeveria ka krijuar një agjendë për të mos i kategorizuar veteranët në pagën minimale.
Tahiri ka thënë se qëllimi i Muratit është të ofendojë deputetët e opozitës, teksa e ka quajtur ministër të paaftë.
“Janë skandaloze, heshtja e kryeministrit karshi tyre është e papranueshme. Ne e shohim që këtu tashmë ka një agjendë për mospërfshirjen e veteranëve të UÇK-së, me moskategorizimin me pagën minimale në Kosovë. Duket që kemi një agjendë të ministrit Murati që ka kundërshtim të madh ndaj kësaj kategorie. I kërkojmë kryeministrit se ka të bëjë me një ministër të Financave që është totalisht i paaftë, një ministër që vjen me qëllime të caktuar me fy dhe me ofendu deputetë të opozitës dhe ofendimet e tyre ndaj veteranëve janë të papranueshme”, tha Tahiri.
Alternativë tjetër përveç shkarkimit të ministrit Murati, Tahiri tha se nuk ka.
“Kryeministri nuk ka alternativë tjetër veç largimin e tij nga kjo pozitë. Në krye të kuletës së shtetit ka vendosur njeri të papërgjegjshme dhe të paaftë dhe ofendimet e tilla që i bën ndaj kategorisë më të ndjeshme, janë të papranueshme”.
Edhe
Rroga e 13-të përplas ministrin e Financave me deputetin e AAK-së
Tahiri theksoi se nuk duhet lejuar që “të bëhet normalitet fyerja e kësaj kategorie nga zyrtarët shtetërorë”.
Në ditët e fundit, janë shpërndarë në rrjetet sociale fotografi të deklaratave të Muratit që i ka shkruar disa vite më parë. Ai kishe komentuar më 2016 se si pagesa për veteranët po kalon 100 milionë euro në vit, teksa buxheti për FSK-në ka qenë më i vogël.
“Këta tre muaj lufte të një ushtrie guerile dojnë me na dalë shumë ma shtrenjtë se ni ushtri e rregullt. Bile edhe mercenarë me pasë angazhu na kish dalë ma lirë – 3 muaj ka 2 mijë euro bajnë 6 mijë euro për kry – 20 mijë mercenarë (të përgatitun ushtarakisht) kishin me na kushtue veç 120 milionë euro gjithsej. Edhe as faleminderit s’kish pasë nevojë me ju thanë”, pati shkruar në Facebook Murati në vitin 2016.