Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, priti në takim Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, me të cilin diskutuan për ecurinë e reformave në sistemin e drejtësisë, sfidat, të arriturat dhe orientimet strategjike në këtë sektor.
Tahiri e njoftoi Braathun me ecurinë e reformave të ndërmarra deri më tani, veçmas në proceset që lidhen me rishikimin e legjislacionit penal dhe atë të fushës civile.
Sipas një komunikate të MD-së, në takim, u diskutua edhe për qasjen e re legjislative ndaj fushave me prioritet që lidhen me sundimin e ligjit.
Tahiri dhe Braathu diskutuan për të bashkërenduar aktivitetet, veçmas në temat që lidhen me adresimin e masave kundër dhunës në familje, si dhe ofrimin e asistencës ndaj viktimave të kësaj dukurie, transmeton KP.
Tahiri shprehu konsideratë për Misionin e OSBE-së në Kosovë, i cili vazhdon të mbetet një partner i Republikës së Kosovës, përfshirë edhe sferën e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.