Arbëri

Tahiri: Anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ndërlidhet me proceset e tjera politike

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk duhet të ndërlidhet me procese të tjera politike.

Ai është takuar të martën me Ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës, vendet e të cilëve janë anëtarë të Këshillit të Evropës, ku ka theksuar se Kosova, kushtetuta e saj, dhe ligjet më të rëndësishme i kanë përfillë dhe mishëruar vlerat që i përfaqëson ky institucion në legjislacionin përkatës.

“Nga Ambasadorët kërkova që ky proces mos të ndërlidhet me procese tjera politike, si ajo e dialogut dhe çështjeve tjera, por si një e drejtë qytetare dhe e drejtë e shtetit të Kosovës për të qenë pjesë e këtij institucioni”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka përmendur edhe rastin e Kosovës e cila i ka qëndruar krah Ukrainës në luftën kundër Rusisë, duke deklaruar se me këtë ka treguar qasje konstruktive.

“Kosova përgjatë këtyre viteve ka dëshmuar që të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit e ka në agjendën e vet primare dhe anëtarësimi i Kosovës është imperativ i kohës. Në të njëjtën kohë, si vend e kemi pasur një qasje shumë konstruktive dhe mbështetëse ndaj njërit prej anëtarëve, në këtë rast Ukrainës, duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të qenë në vijë me botën perëndimore”.