Arbëri

Tahiri akuzon Qeverinë për tentim të kapjes së çdo institucioni

Besnik Tahiri - AAK

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka akuzuar Qeverinë se po tenton të kapë çdo institucion, duke hartuar legjislacion në kundërshtim me Kushtetutën.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi ta rrëzojë Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Tahiri ka thënë se gjatë këtyre dy vjetëve, Qeveria Kurti ka shënuar prapakthim.

Ai më tej ka renditur disa nga fushat, që sipas tij, gjatë kësaj qeverisjeje, është shënuar ngecje.

“Dy vjet regres! Anti-kushtetutshmëria: Në tendencë për ta kapur çdo institucion, hartuan legjislacion në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe ndarjes së pushteteve, por që prapë se ndalen kritikën se tjerët i bllokuan, e se gardiani i kushtetutshmërisë u bë 'pengesa e reformave'. Rritja e çmimeve: Me veprim (ngritje të çmimit të energjisë, tatimi në pronë) e mos veprim (ulje të taksave, akcizës) në politika tatimore, masa rregullative e vendime, goditën shtresën e mesme, futën duart në xhepat e qytetarëve por nuk u ndalën së krekosuri për rritje të hyrave tatimore, e për të gjetur fajtorë komunat”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Tahirit, gjatë këtyre dy vjetëve janë bllokuar bizneset, janë ndaluar investimet, është ndalur zhvillimi ekonomik lokal, është rrezikuar zinxhiri ekonomik.

“Trusti: Në vend se tu japin qasje qytetarëve në mjetet e tyre për ta kapërcyer inflacionin, me papërgjegjshmërinë e tyre inflacioni i mori ato për favorizuar tregjet ndërkombëtare. Lufta me zyrtarë publik dhe sindikata: Dëshpëruan çdo shërbyes publik. Në vend të se të garantojnë mirëqenie me ngritjen e pagave, ata tallën e sulmuan partnerët socialë. Ikja prej Kosovës: Vulosën zbrazjen, braktisjen e Kosovës, sepse tashmë shfrytëzuan një brez të diasporës, ju duhet një kontingjent i ri”, ka shtuar ai.