Lëvizja Vetëvendosje (VV), dega në Gjilan, ka kritikuar qeverisjen komunale se është duke menaxhuar dobët me sektorin e kulturës dhe të sportit, ngase sipas saj, mungojnë investimet në projekte të rëndësishme.
Dobësi janë vlerësuar edhe projektet e iniciuara në këta dy sektorë, të cilat po zvarriten, raporton Koha.net.
Pushteti komunal i Gjilanit është kritikuar edhe për mënyrën e organizimit të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit”, ngase sipas VV-së, në këtë edicion shfaqjet në teatër janë dhënë në një skenë të vogël duke e reduktuar kështu numrin e vizitorëve.
Koordinatorja në Komitetin për Kulturë në VV-së, Doruntina Matoshi, në konferencën për shtyp të mbajtur sot, ka fajësuar pushtetin komunal se nuk ka krijuar dhe zhvilluar politika të qëndrueshme. Ajo ka deklaruar se dy subjektet politike, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila qeveris me Gjilanin dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila është në opozitë, po i shfrytëzojnë hapësirat publike duke mos lënë vend për galerinë e qytetit.
“Qyteti i Gjilanit edhe sot vazhdon të jetë qytet pa kinema dhe pa panair të librit. Nuk kemi galeri të arteve përkundër numrit të madh të artistëve që ka qyteti. Hapësirat publike që lehtësisht mund të adaptoheshin për galeri, shfrytëzohen për zyre nga partitë politike PDK dhe LDK. Krejt çfarë ofrohet për artistët pamorë është që herë pas here të ekspozojnë në një hapësirë të improvizuar në katin e dytë të objektit të teatrit, ku gjasat më të mëdha janë që të rrëzohesh shkallëve të saj sesa të arrish të shijosh një ekspozitë”, ka thënë ajo.
Edhe
PDK dhe LDK kritikojnë qeverisjen në Gjilan, Hyseni thotë se shumica e premtimeve janë realizuar
Sipas saj është shqetësuese mospërfundimi i punimeve në shkollën e arteve pamore që gjendet në kuadër të kompleksit të shkollave të mesme. Ajo deklaron se nxënësit dhe mësimdhënësit kishin shpresuar që do të vendoseshin në këtë shkollë, mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur si pasojë e zvarritjeve të punimeve.
Kurse këshilltari komunal, Nehat Osmani, ka kritikuar komunën për zvarritjet e punimeve në stadiumin e qytetit, të cilat po shkaktojnë pengesa në zhvillimin aktiviteteve sportive. Ai ka deklaruar se Drejtoria e Kulturës dhe Sportit nuk është duke e kuptuar situatën me të cilën ballafaqohet komuniteti i sportistëve.
-
Përplasje pushtet – opozitë në Gjilan shkaku i mostransmetimit ‘live’ të Kuvendit Komunal
-
LDK-ja akuzon Vetëvendosjen në Gjilan: Avaritë dhe shkeljet nuk kanë të ndalur
-
LDK-ja në Gjilan kritikon VV-në për mospunë dhe papërgjegjësi institucionale
-
VV-ja në Gjilan kundërshton vendosjen e Drejtorisë së Kulturës në Bibliotekë