Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, ka thënë se kryetari Përparim Rama është fajtori kryesor për bërllokun në kryeqytet. Sipas tij, shkak për gjendjen e rëndë me mbeturinat është keqmenaxhimi i komunës dhe ai i ndërmarrjes rajonale “Pastrimi”.
Ka disa ditë që kjo ndërmarrje nuk po grumbullon mbeturinat. Ajo ka thënë se është e detyruar ta ndërpresë shërbimin, për siç ka thënë, mospagesës së borxhit prej 2.7 milionë eurosh nga Komuna. E Komuna ka mohuar borxhin dhe ka akuzuar ndërmarrjen për sabotazh. Në mes të këtyre akuzave, qyteti është mbushur bërllok dhe është alarmuar për rreziqe shëndetësore, ndërsa Prokuroria është aktivizuar për të grumbulluar informata për situatën.
“Gjendja është shumë e rëndë. Është e papranueshme. Është rezultat i një keqqeverisjeje që ka ndodhur në kryeqytet tash e katër vjet dhe keqmenaxhim i kompanisë ‘Pastrimi’, që si e vetmja ka të drejt ta bëjë grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet”, ka thënë Sveçla në një bisedë për emisionin “SOT” në KTV të martën.
Ai ka thënë se që nga filimi i qeverisjes së Përparim Ramës “është parë një mendësi që ndërmarrja ‘Pastrimi’ të bëhet e paoperueshme dhe të falimentohet, që më pas tregu t’u jepet operatorëve privatë”.
E po aq sa Komuna, sipas Sveçlës, fajtor është edhe menaxhmenti i kompanisë. “S’ka arritur ta reformojë e ta bëjë të zot që ta kemi një Prishtinë të pastër siç e meritojnë qytetarët”, ka thënë ai.
“Fajtore janë dy palët, e kryesori është Përparim Rama. Ai po bën politikë edhe në mbeturina”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka thënë se Rama ka dashur t’i subvenciononte pagat e punëtorëve, por sipas tij, ai e ka ditur se vendimi s’do ta kalonte ligjshmërinë nga Ministria e Financave. “Pastaj do të thoshte në njërën anë më ka bllokuar Ministria e në tjetrën ‘Pastrimi’. Sabotim dhe bllokim janë dy fjalët që i ka përmendur më së shumti më 2025”, ka shtuar ai.
Sipas Sveçlës, çdo problem ka nisur me thirrjen e Komunës që pagesat për mbeturinat të bëhen në komunë dhe jo në ndërmarrje.
Të mërkurën që shkoi kryetari Përparim Rama vendimin e “Pastrimit” që të ndërpresë grumbullimin e mbeturinave e quajti sabotazh. Për këtë ai njoftoi se Komuna do të fillojë largimin e mbeturinave duke i shfrytëzuar të gjithë mekanizmat që i kanë në dispozicion.
“Komuna e Prishtinës po përballet me një sabotim të hapur nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, një kompani publike që, nën drejtimin aktual, është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë”, ka shkruar Rama.
LEXO EDHE: