Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës është e gatshme të ofrojë rend dhe siguri në gjithë territorin e Kosovës.
Sveçla ka thënë se kohëve të fundit janë duke u përhapur vazhdimisht dezinformata nga “përkrahësit dhe të punësuarit e Serbisë”.
“Por të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, siguria e të gjithëve, pa asnjë dallim, është mision, detyrë dhe mandat i yni kushtetues e ligjor që do ta zbatojmë me përpikmëri e vendosmëri. Bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, komunikimi i ndërsjellë dhe fryma e mirëkuptimit lehtësojnë zbatimin e misionit tonë. Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Republikës së Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë. Ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Sveçla ka bërë thirrje për bashkëpunim.
“Ju lus të gjithëve për bashkëpunim me përfaqësuesit e shtetit, zyrtarët policorë, solidarizim ndërshoqëror dhe ndërveprim me të gjitha institucionet e vendit tonë të cilët po kujdesen për zbatim të vendimeve tona të drejta. Ne kemi qenë gjithnjë në rrugën e drejtë si popull e shoqëri. As u kemi shkaktuar të tjerëve padrejtësi as i kemi mbështetur ato kur u kanë ngjarë popujve të tjerë. Njëjtë jemi dhe sot. Të gjithë bashkë për vendin tonë, për demokracinë e ligjin tonë!” – ka shkruar Sveçla.