Publicisti Veton Surroi, në një diskutim në podcastin PIKË me aktivistin Rron Gjinovci, deklaroi se përfundimi i konfliktit me Serbinë është një detyrë historike dhe morale e brezit aktual.
“Është obligim i kësaj gjenerate, së cilës i përkas edhe unë, që ta kryejmë këtë çështje dhe të mos t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme”, theksoi Surroi, duke shtuar se çdo njeri në vitet në vijim duhet të çlirohet nga barra e një problemi që ka zgjatur për dekada.
Sipas tij, konflikti i papërfunduar me Serbinë, ndonëse shteti i Kosovës është formalisht i konsoliduar në territor dhe në pushtet, vazhdon të ketë ndikim të thellë në mendimin politik dhe në perceptimin e sigurisë.
“Ky ka qenë dhe mbetet një problem i sigurisë. Dhe gjithmonë duhet të jemi të përgatitur që të jetë i tillë, përderisa nuk arrihet një marrëveshje paqeje me Serbinë”, u shpreh Surroi.
Ai e përkrahu pikëpamjen e Gjinovcit se Serbia është preokupimi kryesor politik i momentit, duke argumentuar se zgjidhja e kësaj çështjeje nuk mund të shtyhet më dhe është përgjegjësi historike e klasës politike dhe shoqërisë në tërësi.
