Kosova duhet të krijojë “fuqinë magnetike” që i tërheq të rinjtë të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në vend, ka deklaruar publicisti Veton Surroi në podcastin PIKË, gjatë një bashkëbisedimi me antropologen amerikane Janet Reineck, të njohur si “Amerikania në Kosovë”.
Surroi theksoi se sfida kryesore e Kosovës nuk është vetëm largimi i të rinjve, por mungesa e kushteve që i bëjnë ata të ndihen tërhequr nga vendi i tyre.
“Një fëmijë që e mbaron gjimnazin ka të hapura rrugët drejt botës. Çështja është si të krijohet fuqia magnetike në vend, që ta tërheqë më shumë këtu sesa atje”, u shpreh ai.
Ai shtoi se Kosova duhet ta pranojë se është pjesë e një shoqërie evropiane moderne, ku mënyra e jetesës po bëhet gjithnjë e më “policentrike”.
“Ai që jeton në Zyrih ose në Londër mund të punojë pesë ditë atje, e fundjavën ta kalojë në Kosovë. Kjo është një formë e re jetese që duhet ta pranojmë”, ka thënë Surroi.
Në vijim, ai foli për rëndësinë e “sinergjisë së kthimit”, duke e krahasuar me përvojën e Polonisë, ku shumica që emigruan u kthyen në vendlindje dhe tash ky shtet është prej më të fuqishmëve në Evropë.
“Kosova ka një potencial të madh jashtë vendit, me njerëz të arsimuar që mund të kontribuojnë. Është koha të arrijmë atë sinergji që e bëri Poloninë një nga ekonomitë më të zhvilluara të Evropës”, ka thënë Surroi.
Janet Reineck e përkrahu këtë vizion, duke theksuar se uniteti dhe vetëbesimi janë çelësi për zhvillimin e vendit.
“Paraardhësit tuaj kanë luftuar për liri. Tash që jeni të lirë, është koha të ndërtoni vendin së bashku, pa xhelozi dhe me dashuri për shqiptarizmin”, ka thënë ajo.