Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Surroi për bastisjen e Gashit nga Prokuroria: Precedent shqetësues

Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka thënë se vendimi i Prokurorisë Speciale për të bastisur shtëpinë e Shkëlzen Gashit me arsyetimin se ka kryer veprën “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit” lidhur me ekspozitën e publikuar në Prishtinë për masakrat në Kosovë në vitet 1998-1999, përbën një precedent shqetësues që tejkalon pragun e lejueshëm të ndërhyrjes shtetërore në lirinë e shprehjes. 

Surroi ka thënë se Gashi ka bërë gabime evidente në librin e tij për masakrat dhe në ekspozitën që u mbyll tashmë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Me këtë veprim, prokuroria dhe policia po ndërhyjnë në një fushë që, në një shoqëri demokratike, i përket debatit publik, akademik dhe shoqëror, e jo ndërhyrjes penale. Liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet evropiane, dhe kufizimi i saj kërkon përmbushjen e një pragu të lartë: ekzistencën e një nevoje të domosdoshme në një shoqëri demokratike dhe proporcionalitetin e masës së ndërmarrë. Ky prag nuk rezulton të jetë arritur në arsyetimin e dhënë. Gabimet e z. Gashi janë tashmë të dokumentuara dhe të kundërshtuara në mënyrë profesionale nga studiues (si historiani D.Abdullahu vjet) dhe institucione përkatëse (si Fondi për të Drejtën Humanitare dje) . Prokuroria dhe policia nuk janë institucione kompetente për të arbitruar debate historike apo për të përcaktuar standardet e së vërtetës shkencore”, ka shkruar Surroi në Facebook. 

Surroi ka thënë se “institucionet e zbatimit të ligjit po rrezikojnë të kalojnë nga roli i garantuesve të ligjshmërisë në rolin e arbitrit të së vërtetës historike. 

“Duke e bazuar ndërhyrjen në pretendimin se është “dëmtuar e vërteta e luftës çlirimtare”, institucionet e zbatimit të ligjit rrezikojnë të kalojnë nga roli i garantuesve të ligjshmërisë në rolin e arbitrit të së vërtetës historike — një praktikë që është diskredituar në përvojën evropiane dhe lidhet me modele jodemokratike të ushtrimit të pushtetit. Prandaj, ky rast përbën një precedent shqetësues që tejkalon pragun e lejueshëm të ndërhyrjes shtetërore në lirinë e shprehjes dhe rrezikon të krijojë efekt frikësues për debatin publik në Kosovë”, ka shkruar Surroi.