Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, duke iu referuar ekspozitës me gabime për masakrat serbe në Kosovë të Shkelzen Gashit, ka përsëritur që momentumi në të cilën ndodhemi është i rrezikshëm për shkak të procesit të gjykimit që po zhvillohet në Hagë.
Behrami ka thënë se nëse shpallen fajtorë ish-krerët e UÇK-së nga Specialja, Serbia e ka të gatshme dosjen për ta dërguan në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me anë të së cilës do ta sfidojë Pavarësinë e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Momentumi është shumë i rrezikshëm. Nëse krerët e UÇK-së shpallen të fajshëm, Serbia e ka dosjen e gatshme për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ku do të shkojë ta sfidojë pavarësinë e Kosovës sepse me ligje ndërkombëtare çdo shtet që bëhet i pavarur përmes krimeve të luftës është shtet ilegal. Këtu nuk shohim mobilizim as shtetëror sepse elitat politike në Kosovë janë aq të verbëruara nga ish oponetët e tyre politik, sa nuk mund ta dallojnë më individin dhe shtetin. Shumica e tyre nuk e kanë lexuar as aktakuzën”, ka thënë Behrami.
Deputeti Behrami ka thënë po ashtu se shteti i Kosovës ka mundur të bëjë shumë në raport me këtë proces gjyqësor e nuk ka bërë asgjë.
Një nga gjërat që do të mund të bënte sipas Behramit, është krijimi i një mekanizmi me anë të së të kontrollohej puna e Gjykatës Speciale.
“Mund të bëhet tepër shumë. Nuk po pres të bëjnë çfarë kanë bërë shtetet e tjera sepse jemi shtet i vogël. Kosova nuk e ka krijuar as një mekanizëm për ta kontrolluar punën e Gjykatës Speciale. Nuk e ka krijuar as Kuvendi as shteti i Kosovës. Ka mundur të krijohet në mënyrë direkte ose indirekte”, ka thënë Behrami në emisionin “Konfront” në KTV.
Behrami: Rezoluta bën thirrje të iniciohet dënimi i atyre që mohojnë ose minimizojnë krimet serbe
Ai ka theksuar se rezoluta bën ftesë për përgjegjësi ndaj autorëve dhe institucionit që ka financuar autorin për ekspozitën për masakrat në Kosovë, e paraqitur në sheshin e Prishtinës në shesh.
“LVV po pretendon se nuk ka ndodhur asgjë. PDK insiston që kjo gjë është tepër e madhe, duhet ta trajtojmë në Kuvend. Ne mund të krijojmë disa mekanizma ku njerëzve ua lejon fjalën e lirë, por nuk mund të ketë situata si te Shkëlzen Gashi. Insistimi ynë është që të jetë pika e parë, të ulemi dhe secila parti të futë disa gjëra në të edhe pse në parim po pajtohen të gjithë me rezolutën”, u shpreh ai.
Morina: Për ekspozitën, duhet ta thotë fjalën Prokuroria
Gazetari Idriz Morina, ka thënë se nëse ekspozita a libri i Shkëlzen Gashit është i motivuar nga spiunazhi apo propaganda serbe atëherë nuk është më gabim por përtej tij.
Në emisionin “Konfront” në KTV, gazetari Morina ka potencuar se megjithatë fjalën përfundimtare do ta thotë Prokuroria, qoftë për ta pastruar emrin e Gashit ose anasjelltas.
“Nuk është gabim i rastit as ekspozita as libri, është përtej gabimit nëse është i motivuar nga ato që thonë të tjerët se mund të ketë lidhje me jashtë interesit nacional ose me interes të spiunazhit a propagandës. Është mirë që ta thotë fjalën e saj përfundimtare Prokuroria qoftë për ta pastruar emrin e Gashit nga ky dyshim dhe në anën tjetër që t’i shërojë dyshimet e opinionit që nuk ka qenë i motivuar nga jashtë”, ka thënë gazetari Morina.
Tutje Morina ka theksuar se mënyra se si është ndërtuar teksti në libër apo ekspozitë, do thotë spastrim i krimeve serbe.
“Në këtë rast ashtu siç e ka ndërtuar tekstin Shkelzen Gashi i bie që të jetë spastrim i krimit të serbëve. Ishte formulimi që ka pasur ushtarë në burg që i bie se është normale që të ketë pasur të arrestuar por të bësh aso rrëshqitje të faktit nga një ish-ushtar i burgosur dhe të thuash se janë 48 viktima të armatosur, kjo i bie të shpallësh të pafajshëm të gjithë ata që kanë bërë krim sepse do të thotë se ka pasur rezistencë brenda burgut”, ka thënë Morina.
Koci: Po e humbim luftën propaganduese me Serbinë, që ka të angazhuar 30 mijë vetë
Gazetari Melazim Koci ka thënë se Kosova ka dështuar në periudhën 27-vjeçare e edhe sot për ta paraqitur të vërtetën e saj për luftën më Serbinë.
Ai ka theksuar se Serbia ka të angazhuar shumë potencial për të propaganduar kundër Kosovës dhe për ta paraqitur ndryshe historinë e Kosovës.
“Ne jemi duke e humbur luftën propaganduese me Serbinë, kjo është shumë e rëndë por duhet ta themi. Tash e dy dekada mendojmë se e vërteta është në anën tonë, ajo është në anën tonë, por mendojmë se është e mirëqenë dhe mjafton që si e tillë aty përfundon. Serbia ka angazhuar shumë potencial, lexova se 30 mijë veta janë të angazhuar për këto çështje, nuk është fjala për aparatin policor dhe ushtarak, është fjala për propagandë, luftën hibride. Ne kemi dështuar totalisht që 27 vjet, nuk kemi arritur ta bëjmë një film të metrazhit të gjatë që t’ia prezantojmë botës”, ka thënë ai në Konfront.
Koci ka shtuar se Serbia tenton vazhdimisht që ta ndërrojë narrativën e luftës në Kosovë.
“Serbia po tenton ta ndërrojë narrativën. Ajo narrativën e luftës me Kroacinë dhe të tjerët nuk mund ta ndryshojë sepse është gjendje faktike tjetër. Në rastin e Kosovës tenton që luftën ta prezantojë si konflikt civil ku dy palët kanë bërë krime dhe mbi këtë bazë të dalë me kërkesa për të redituar statusin e Kosovës dhe historinë”.
Neziri: Kosova ka shumë historianë të shkollës jugosllave
Ngadhnjim Neziri, profesor i historisë, ka thënë se Kosova ka shumë historianë të shkollës jugosllave që ka lënë gjurmë në ta edhe sot.
Ai ka theksuar se Kosova ka trashëguar një histori që është transformuar me kohë.
“Shumë historianë tonë janë produkt i shkollës jugosllave dhe lë gjurmë ajo sepse është mendësi që është krijuar gjatë shkollimit. Ka edhe te ne njerëz jokompetentë që kanë marrë përgjegjësi për të shkruar tema të mëdha dhe ata i kanë deformuar, disa-disa i kanë mitizuar”, ka thënë ai në Konfront.
Sipas tij, Kosova është përballur edhe me presion ndërkombëtar që narrativa e saj të shkëputet prej luftës, “teksa pala tjetër, Serbia e ka ushqyer vazhdimisht mitin për Kosovën”.
Tek ka folur për ekspozitën me të dhëna të pasakta të shfaqur në shesh në muajin mars në sheshin e Prishtinës, Neziri ka thënë se për të duhet të mbahet përgjegjësi kolektive.
Behrami: Po synohet krijimi i momentumit për të kaluar pa reagim dënimi i krerëve të UÇK-së
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se ekspozita e Shkelzen Gashit me të dhëna të pasakta për masakrat serbe në Kosovë, mes tjerash, erdhi në kohën kur pritet vendimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Behrami në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se përveç në Serbi që ka intensitet të shtuar të propagandës, edhe në Kosovë ka përpjekje që të krijohet një moment ku në rast se dënohen ish-krerët e UÇK-së në Hagë, vendimi të kalojë në heshtje e pa ndonjë kundërshtim shoqëror.
“Edhe në Kosovë ka përpjekje për të krijuar një momentum ku dënimi i krerëve të UÇK-së do të kalonte pa ndonjë kundërshtim shoqëror. Tendenca për t’i shkëputur krerët e UÇK-së nga historia e shpalljes së pavarësisë, nga trashëgimia e luftës. Kjo ekspozitë vjen në këtë momentum që është shumë i rëndësishëm që të ceket pse është gjith ky reagim shoqëror”, ka thënë Behrami.
Sipas Behramit, në këtë momentum, gabime të tilla janë të pafalshme sepse i shërbejnë një narracioni i cili është i ushqyer nga Serbia për të relativizuar të gjitha krimet.
“Gabimi është fatal”, ka shtuar Behrami.