Të vërtetat absolute, prokuroria si arbitër dhe mendësia e turmës: Rreziqet e demokracisë kosovare në rastin e Sh. Gashit
1.
Në lajmet e mbrëmjes doli një zë, e pastaj i dyti dhe i treti që thanë se ekspozita e Shkëlzen Gashit me pano me rrëfimet nga libri i tij për masakrat në Kosovë kishte gabime. Të nesërmen gabimet e pretenduara u shndërruan në “skandal” dhe disa orë më pas, në arsyetimin për pezullimin e lejes së ekspozitës në sheshin e Prishtinës, u quajt “shtrembërim i historisë sonë”. Filluan sulmet publike ndaj Sh. Gashit, Fondit për të Drejtën Humanitare dhe Natasha Kandiqit (“një serbe që Serbia e financon dhe e lejon me ekspozu kinse kundërshtare e regjimit”). Reagimet e pjesëmarrësve institucionalë, politikë e mediatikë të sferës publike ishin të njëzëshme në distancimin prej Sh. Gashit (disa, përtej distancimit, ishin akuza e dënime ndaj tij). Vetë Natasha Kandiq reagoi duke u distancuar prej punës së Sh. Gashit. Në tërë zallamahinë, u rishfaq edhe artikulli i një historiani (D. Abdullahu) botuar një vit më parë, një analizë kritike ndaj librit të z.Gashi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoOrganizatat përgjegjëse për ekspozitën kërkuan ndjesë publike.
Brenda 24 orësh Prokurori i shtetit autorizoi ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj z. Gashi, duke angazhuar Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me arsyetimin se ai “dyshohet se ka shkaktuar përçarje dhe mosdurim ndër qytetarët dhe ka dëmtuar e ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë”, duke iu referuar veprës penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”.
Brenda më pak se 48 orësh u arritën tri verdikte. I pari ishte se Sh.Gashi kishte bërë gabime materiale në punën e tij në libër dhe ekspozitë. I dyti ishte se këto gabime paraqesin “dëmtim dhe ndryshim të së vërtetës sonë”.
Verdikti i tretë ishte se Kosova kolektivisht hyri në një kurth që e dëmton demokracinë. Në atë kurth hynë të gjithë pjesëmarrësit e sferës publike, pothuajse pa përjashtim.
2.
Kurthi i ka, sipas mendimit tim, tri rrathë.
I pari, dhe në të hynë të gjithë, ishte zëvendësimi i gjykimit profesional me një gjyq publik. Se a gaboi apo sa dhe ku gaboi z.Gashi ka qenë dhe është punë e profesionistëve, hulumtuesve, historianëve. Kjo natyrisht nuk përjashton të afektuarit e drejtpërdrejtë apo ata që ndihen të afektuar, siç ishte rasti me të mbijetuarit e masakrës së Dubravës apo familjarët e viktimave që u ndien të papërfaqësuar. Reagimet e tyre, qoftë edhe me indinjatë, janë pjesë e kontestimit apo plotësimit të një pune hulumtuese, por ato nuk mund të jenë gjykuese përfundimtare të punës së autorit.
Atë që duhej ta përcaktonte, për shembull, një debat mes shkencëtareve të Institutit të Historisë u bë fakt i paragjykuar në sferën publike. Opinionistë, postime të rrjeteve sociale, debate televizive të së mbrëmjes tashmë vendosën se ekzistonte jo vetëm gabimi, por edhe fajësia. Në këtë rrafsh të kurthit u përfshinë edhe vetë autorët e ekspozitës që nën presionin e një atmosfere linçimi, u detyruan të kërkojnë falje. Kjo kërkimfalje nuk ishte, pra, fryt i një debati ekstensiv mes historianësh, hulumtuesish, viktimash e familjarësh, por fryt i fajësisë së parapërcaktuar tashmë nga sfera publike.
3.
Rrafshi i dytë i kurthit është ai i pranimit të ligjërimit se autorët kanë bërë apo nuk kanë bërë “shtrembërim të historisë sonë”. Autoritetet e qytetit, duke e mbyllur ekspozitën me arsyetimin se ajo shtrembëron historinë tonë, morën rolin e arbitrit të interpretimit të drejtë të “historisë sonë”. Për më tepër, vendosën se ekziston një e vërtetë e historisë sonë së cilës duhet përmbajtur. Debati i zhvilluar pro et contra ishte në masë të madhe i përqendruar në atë se a kanë pasur apo jo ekspozita dhe libri motive shtrembërimi të “historisë sonë” dhe çfarë është karakteri kombëtar (antikombëtar) i Sh.Gashit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në momentin kur u shtjelluan argumentet për “pastërtinë” e qëndrimeve kombëtare të z. Gashi dhe bashkëpunëtorëve u bë hyrja e plotë në këtë rrafsh të dytë të kurthit.
Pyetja themelore që duhej të shtrohej duhej të ishte se ku ekziston ortodoksia e historisë sonë, ku qëndruaka versioni i drejtë i historisë së cilës duhet t’i përmbahemi e të cilën e shtrembëroi Sh. Gashi?
4.
Këto dy rrafshe përbëjnë pjesën e pandashme ligjëruese që përgatit mendësinë totalitare dhe që pastaj shtyu te rrafshi i tretë i kurthit, e që ishte veprimi i Prokurorisë dhe Policisë së shtetit kundër Sh. Gashit. Prokuroria e Shtetit u shndërrua në instancën që do të mbrojë ortodoksinë tonë historike, sepse bastisi shtëpinë e tij, mori kompjuterin dhe telefonin e tij duke pretenduar se z. Gashi “ka dëmtuar e ndryshuar të vërtetën e luftës çlirimtare në Kosovë”. Rreth këtij dyshimi, se z. Gashi “ka dëmtuar dhe ndryshuar të vërtetën”, ai qe i ftuar zyrtarisht e me detyrim ligjor dhe u intervistua për katër orë nga prokurori. Në mendjen time kështu, me pjesëmarrjen e z. Gashi duke shpjeguar se intencat e tij ishin krejtësisht qëllimmira, u legjitimua e drejta e Prokurorit që të jetë arbitër në përcaktimin e të vërtetave historike. Përgjatë shekullit XX ekzistimi i një të vërtete historike (pra të vërtetave absolute) dhe vendosja e aparatit represiv për t'i mbrojtur ato të "vërteta" ishte sinjal i qartë i shteteve totalitare.
5.
Tashmë që kemi hyrë në kurth, ka shumë gjëra për të bërë dhe çdonjëra do të jetë e vështirë e do të kërkojë kthesë të madhe fillimisht mendore mbase për të tejkaluar fillimisht instinktin bazik të turmës në sferën publike, asaj që po ashtu falë algoritmeve të urrejtjes menjëherë përcaktoi gabimet materiale të një libri e ekspozite dhe dëmin që i bën të “vërtetës së padiskutueshme”. Ky do të jetë një investim për mendim kritik, diçka që paraqet sfidë edhe për shoqëri më të avancuara se ajo e Kosovës.
Por, kjo çështje tashmë ka hyrë në fazë institucionale, ku përcaktohet karakteri i shtetit. Prokurori që pretendon se një qytetar “ka dëmtuar dhe ndryshuar të vërtetën” i përket një sistemi totalitar. Tashmë u përket institucioneve të demokracisë në Kosovë që ta mbrojnë shtetin prej një përcaktimi të këtillë të prokurorit a Prokurorisë; gjithnjë duke përdorur instrumentet kushtetuese, prej dëgjimit publik në Kuvend e tutje.
Kjo është një sfidë që nuk mund të anashkalohet.