Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Surroi: Deklarimet e Thaçit cenojnë Kushtetutën

Publicisti Veton Surroi ka reaguar rreth debatit që po zhvillohet për ndryshimin e kufirit dhe konfuzioneve që janë krijuar edhe në qarqet vendimmarrëse dhe politikbërëse të vendit.

Në një postim në Facebook, Surroi ka thënë se deklarimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se do t’ia paraqesë kërkesën presidentit të Serbisë që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës, mund të konsiderohet truk i dobishëm për politikën e brendshme, por sipas tij, përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës së Kosovës.

“Pika 3 e Nenit të Parë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës thotë: Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”, ka shkruar Surroi që ka shtuar se deklarimet e Thaçit mund të cilësohen si pretendime territoriale të Kosovës ndaj një shteti tjetër.

“Deklarimet e presidentit në të drejtën ndërkombëtare mund të tërheqin më vete obligimin shtetëror . Rrjedhimisht, deklarimi i këtij të Kosovës për Luginën e Preshevës cilësohen si pretendim i pastër territorial i Kosovës ndaj shtetit tjetër, Republikës së Serbisë”, ka shkruar ai.

“Në bashkësinë ndërkombëtare nuk janë të pakta shtetet-ndër to Rusia- që këtë akt pretendimi territorial mund ta intepretojnë si rrezikim që ia bën Kosova paqes në regjion”, thuhej në postimin e Surroit.

Artikuj të ngjashëm