“Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”.
Kjo është pika 3 e nenit 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, raporton KTV.
E pikërisht presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili është i thirrur ta mbrojë këtë nen dhe gjithë kushtetutën, me deklaratat e tij për korrigjim kufijsh, po e shkel atë.
Edhe pika 2 e nenit 2 të Kushtetutës e thotë qartë se “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm e i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.
Duke u thirrur në këtë, kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte marrë vendim që të kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me qëndrimin e presidentit.
Edhe
Thaçit mund t’i dalë punë me Kushtetuesen rreth emërimeve në KQZ
Por, ky vendim ka mbetur vetëm si paralajmërim, pasi që nuk ka asgjë konkrete nga ana e partisë më të madhe opozitare në vend.
Kohavisioni ka pyetur deputeten Vjosa Osmani, se kur kjo parti do ta kërkojë mendimin e Kushtetueses, por Osmani ka thënë se duhet pyetur kryesia.
Ndërkaq, nënkryetari i kësaj partie Avdullah Hoti, nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit.
Por, reagimin e LDK-së po e kërkon Alternativa.
Deputetja Mimoza Musari – Lila, ka thënë se derisa Thaçi po e shkel me të dyja këmbët kushtetutën, LDK-ja duhet sa më shpejt të kërkojë interpretimin e gjykatës.
Edhe
Surroi: Deklarimet e Thaçit cenojnë Kushtetutën
Por, Albert Krasniqi nga KDI-ja thotë se LDK-ja nuk do të mund të bëjë asgjë përmes këtij veprimi, pasi sipas tij, qëndrimi i presidentit është dhënë vetëm përmes deklarimeve duke mos pasur ndonjë dokument, për çka Gjykata Kushtetuese do të mund të jepte mendimin saj.
Krasniqi thotë se kjo parti e ka pasur rastin që në bashkëpunim edhe me partitë e tjera opozitare ta çojë Thaçin në Kushtetuese për mosemërimin e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por nuk e kanë bërë një gjë të tillë.