Gjykata Supreme ka njoftuar se e ka hedhur poshtë padinë e një biznesi kundër ZRRE-së pas hyrjes në fuqi të vendimit me të cilin bizneset e mëdha u detyruan të dalin në treg të lirë për furnizim me energji elektrike.
Biznesi N.T.P “ACN” ka kërkuar shfuqizimin e Udhëzuesit për daljen e konsumatorëve në treg të lirë të energjisë elektrike, por kjo është hedhur poshtë nga Supremja.
“Në këtë rast akti i kontestuar: 'Udhëzuesi për daljen e konsumatorëve në tregun e lirë të energjisë elektrike', i publikuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, nuk përmban norma juridike me fuqi detyruese, por norma të natyrës informuese dhe orientuese për konsumatorët lidhur me hapat konkret që duhet ndjekur për kalimin në tregun e lirë të energjisë elektrike. Andaj, Gjykata përmes këtij aktgjykimi ka bërë të qartë se ky Udhëzues nuk është akt me karakter normativ, pasi nuk krijon, ndryshon apo shfuqizon norma juridike”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Tutje në njoftim thuhet se “Udhëzuesi nuk prodhon efekte juridike për palët në mënyrë detyruese, andaj si i tillë, nuk mund të jetë objekt i padisë për shfuqizim si akt nënligjor”.
Në mars, ZRRE-ja i njoftoi bizneset me mbi 50 punëtorë ose me 10 milionë euro qarkullim në vit se që nga 1 qershori do të dalin në treg të lirë, duke u detyruar që ta zgjedhin vetë furnizuesin.