Ilir Haxhiaj, i dënuar nga dy shkallë gjyqësore për lëndimin të 54-vjeçares Hatije Dina që kishin pasojë vdekjen e saj, është liruar nga shkalla e tretë gjyqësore. Dina ishte me bashkëshortin në veturë pak para momentit kur ajo mori lëndimet prej të cilave vdiq. Si arsye kryesore për lirimin e tij, Supremja i ka përmendur kundërthëniet mes dy ekspertizave dhe mos-arsyetimin e mjaftueshëm nga dy shkallët më të ulëta gjyqësore.
Ilir Haxhijaj, burri i së ndjerës Hatije Dina, i dënuar me 15 vjet burgim për lëndime që i shkaktuan vdekjen gruas se tij është liruar nga akuzat.
Haxhijaj i cili po drejtonte veturën para se bashkëshortja e tij 54-vjeçarja të merrte lëndime që ia sollën vdekjen.
Prokuroria Themelore në Prizren ka pretenduar se më 31 maj 2019, 400 metra nga rruga kryesore Suharekë-Rahovec, Haxhijaj e ka ndalur veturën dhe e ka nxjerrë Hatije Dinën nga vetura, e ka sulmuar fizikisht në pjesë të ndryshme duke ja përplasur kokën për asfalti, çka sipas aktakuzës e ka shkaktuar vdekjen asaj.
Derisa gjykatat e shkallëve më të ulëta e dënuan Haxhiajn për këto akuza, Supremja ka konstatuar se nuk janë arsyetuar mjaftueshëm aktgjykimet për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me pasojë vdekjen.
“Gjykata Supreme arrin në përfundim se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë kanë bërë interpretim selektiv, fragmentar dhe të izoluar të provave, pa i shqyrtuar ato në ndërlidhshmëri me njëra-tjetrën dhe as në tërësinë e tyre, për të nxjerrë përfundime të sakta, të qarta e të qëndrueshme mbi plotësimin e standardit “përtej dyshimit të arsyeshëm” për fajësinë e të pandehurit”, u tha në aktgjykimin e Supremes.
Edhe
Gjykata zbulon detajet e vrasjes së dyfishtë: I dyshuari qëlloi gruan në veturë, pastaj kunatin
Në këtë rast, superekspertiza e komunikacionit hodhi poshtë ekspertizën e parë – që e bënte përgjegjës Haxhiajn për lëndim të rëndë trupor.
Në vendimin e saj Gjykata Supreme është thirrur në përgjigjen e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Naser Lajçi, i cili ka thënë se as eksperti, Ejup Qehaja, e as profesorët e tjerë të fakultetit nuk e kanë njohuri të bëjnë ekspertizë që tregon se a ishte vetura në lëvizje dhe se a e hodhi një forcë e jashtme apo jo, 54-vjeçaren nga vetura.
“Në mes tjerash, ka theksuar se përgjegjësi i ekspertizave të veçanta, edhe pas prezencës në vendin e ngjarjes – rekonstruktimit, është i mendimit se nuk ka elemente për ta trajtuar lëndën Pkr.nr.88/23 si aksident trafiku. Përkatësisht, nuk mund të japin mendim nëse pasagjerja-viktima Hatije Dina ka kërcyer vetë nga vetura apo jo, dhe nëse vetura në atë moment ka qenë në lëvizje apo e ndaluar, duke shtuar se qëndron pas përgjigjes së dhënë më datë 27.03.2024”, u tha nga Supremja.
Meqë dekani i FIM-it konstatoi se nuk dinë të bëjnë ekspertiza të këtilla, trupi gjykues i kryesuar nga Mejreme Memaj konstatoi se duhet të vlejë parimi juridik që mëdyshjet faktike të interpretohen në favor të të akuzuarit.
Dy shkallë gjyqësore e dënuan me 15 vjet Haxhijan e rasti u kthye në rigjykim nga Supremja. Në aktgjykim e Supremes është thënë po ashtu se nuk ka pasur asnjë dëshmitar okular të ngjarjes.
Edhe
Vëlla e motër vriten me armë zjarri në Gjilan, i dyshuari dorëzohet në polici
E avokati i të liruarit nga akuzat ka thënë se është vërtetuar se vdekja e të ndjerës është shkaktuar nga dalja e saj nga makina, teksa theksoi se klienti i tij i ka mbajtur 7 vjet burg deri më 26 mars kur u lirua.
“Bazuar në provat e administruara është vërtetuar se vdekja e të ndjerës është shkaktuar nga dalja e saj nga makina, derisa makina ka qenë në lëvizje, me pasojë rrëzimin, rrotullimin dhe përplasjen e kokës dhe trupit në sipërfaqe të fortë, siç është asfalti. Andaj, përfundimisht në rastin në fjalë është vërtetuar plotësisht versioni i mbrojtjes se kjo ka qenë një fatkeqësi e shkaktuar me vetë veprimin e të ndjerës dhe gjithnjë e kemi theksuar se “mbi një fatkeqësi nuk mund të bëhet një padrejtësi”, tha avokati Shkëlzen Sopjani.
E avokati Zahir Hamza, që e ka përfaqësuar familjen e Hatije Dinës në gjykim, nuk ka komentuar lidhur me aktgjykimin e Supremes .
Koha e ka pyetur Prokuroinë Themelore në Prizren se a ndihet përgjegjëse për këtë rast dhe se a do të bëjë hetim nga fillimi meqë i akuzuari është liruar nga shkalla e tretë, por kjo prokurori e ka hedhur përgjegjësinë te dy gjykatat e shkallës më të ulët që e dënuan Haxhiajn.
“Prokuroria Themelore në Prizren, bazuar në hetimet e kryera dhe provat e mbledhura gjatë procedurës, ka krijuar dyshimin e bazuar mirë dhe ka ngritur aktakuzë. Ky rast ka kaluar për shqyrtim në dy shkallë gjykatash, ku gjykata e shkallës së parë dhe e shkallës së dytë kanë dhënë vendimet përkatëse. Ne, si prokurori, nuk mund të komentojmë vendimet e Gjykatës Supreme, pasi ato janë të pranuara dhe të ekzekutueshme sipas ligjit. Çdo vendim i Gjykatës Supreme është përfundimtar dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar, dhe secili është i obliguar t’i respektojë ato. Në përputhje me këtë, prokuroria do të vazhdojë të respektojë procedurat dhe vendimet e institucioneve përkatëse të drejtësisë”, tha nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Edhe
Kërkohet burgim për të akuzuarin për aksidentin me fatalitet në Prishtinë: Ishte dënuar mbi 100 herë për kundërvajtje në trafik
Haxhijaj kishte histori me disa raste të dhunës në familje ndaj së ndjerës.
Aktivistë të shoqërisë civile patën kërkuar drejtësi për viktimën e dhunës në familje, Hatije Dinës, duke insistuar se nuk ishte lëndim trupor me pasojë vdekjen, por vrasje.