Shiu i rrëmbyeshëm që ra pasditen e së dielës ka shkaktuar pasoja të shumta në disa komuna të Kosovës. Një shkolle në Vushtrri i është dëmtuar kulmi, ndërsa në kryeqytet uji ka dëmtuar biznese e amvisëri. Komunat thonë se e kanë situatën nën kontroll. Edhe FSK-ja ka ofruar mbështetje për komunat në raste të vërshimeve
Stuhia e fuqishme të dielën pasdite e la pa çati shkollën “Dëshmorët” në Zhilivodë të Vushtrrisë. E ndërtuar vetëm nëntë vjet më parë, ajo nuk u mbijetoi dot erërave të forta. Edhe shiu depërtoi lehtë në brendi të objektit.
Drejtori i kësaj shkolle, Lavdim Klinaku, ka thënë se rreth orës 20:00 të mbrëmjes, shiu që ka rënë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në shkollë.
“Me rrënimin e kulmit, shiu i pandërprerë bëri që shkollën ta merrte uji në të dyja katet. Ne me punëtorët teknikë jemi munduar që të largojmë gjërat që ishin me vlerë, dokumentacionin, kompjuterë të ndryshëm, dhe ato i kemi shpëtuar dhe kemi parandaluar dëme të tjera brenda shkollës”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse nuk intervenohet shpejt nga ana e Komunës dëmet do të jenë më të mëdha, shkaku që shiu ka hyrë edhe brenda.
Shkolla është ndërtuar në vitin 2012. Por drejtori thotë se nuk ka informacione se kush ka qenë përkryerës në ndërtimin e shkollës. Informacion të tillë nuk kanë dhënë as në Komunën e Vushtrrisë.
Drejtori për Shpëtim dhe Emergjenca në këtë Komunë, Enis Maxhuni, ka thënë se pas marrjes së informacioneve kanë dalë në terren.
“Për fat të mirë nuk ka pasur dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Tani i mbetet Komisionit vlerësues që të bëjë vlerësimin e dëmit të shkollës dhe në një periudhë sa më të shpejtë kohore të bëhet rinovimi i kulmit”, ka theksuar ai.
Maxhuni ka thënë se ka pasur vërshime edhe në pjesë tjera të kësaj komune, ku uji ka hyrë nëpër objekte, por që është intervenuar edhe nga ekipet e Komunës dhe zjarrfikësit.
Për dëmet thotë se nuk kanë ende një raport, pasi që janë në pritje të kërkesave nga qytetarët për të bërë vlerësimet.
Shiu që ra të dielën pasdite ka shkaktuar dëme edhe në kryeqytet. Banorët e Matiqanit ankohen se nga shiu balta u hyri nëpër bodrume. Fahri Gashi ka thënë se ky problem pothuajse është qe katër vjet.
“Ka ardhur një rraptim kogja i fortë edhe ka bërë dëme të shumta, diku në vlerë 2 mijë e 500 euro. M’i kanë djegë do aparatura që i kam pasur në garazh, punëtori dhe dëme ka bërë nëpër oborr. Në shtëpi ka hyrë brenda në sallon, garazhi po shihet më si është. Kam bërë telefonata në Komunë, por askush nuk vjen”, ka thënë ai.
Komuna e Prishtinës ka thënë se gjendja është nën kontroll.
“Ekipet e Hortikulturës në koordinim me Drejtorinë e Parqeve që nga orët e hershme të mëngjesit janë në terren duke sanuar dëmet nga reshjet e mbrëmshme. Ashtu siç kemi njoftuar, ekipet emergjente të Komunës në koordinim me drejtoritë përkatëse dhe kompanitë publike janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet për sanimin e dëmeve dhe për t’iu dalë në mbështetje qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Ka thënë se do të njoftojë me kohë rreth dëmeve dhe intervenimeve të kryera posa të pranojë raportet finale nga terreni.
Edhe Forca e Sigurisë e Kosovës ka thënë se është në gjendje gatishmërie nëse komunave iu duhet ndihmë.
Me vërshime janë përballur edhe qytetet e tjera të Kosovës, teksa stuhi e ngjashme ditë më parë ka goditur shumë shtete në Evropë, me pasoja edhe në njerëz.