Arbëri

Stefanoviq: Maqedonia duhet ta respektojë të drejtën ndërkombëtare në rastin e Morinës

Foto: Ilustrim

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Policisë atje, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se pret ekstradimin në Serbi të ish-luftëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, i cili u ndalua në Maqedoninë e Veriut ditë më parë.

Ai po ashtu ka thënë se pret që kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, të përmbush premtimin se do të respektojë të drejtën ndërkombëtare.

Stefanoviqi tha kështu kur u pyet nëse Morina do të ekstradohet në Serbi dhe si e komenton deklaratën e Zaevit i cili raportohet të ketë thënë se do të respektojë të drejtën ndërkombëtare, dhe atë se Morina është shtetas i Kosovës.

Ai tha se të gjithë anëtarët e Interpolit duhet të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe rregulloret e asaj organizate.

“Zaevi ka thënë se do t’i respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe kjo do të thotë vetëm ekstradim tek organet serbe dhe asgjë tjetër. Presim që fjalët e Zaevit të realizohen dhe të respektohet e drejta ndërkombëtare”, u shpreh Stefanoviqi, raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Ai tha se nëse nuk ndodh ekstradimi i Morinës në Serbi, “kjo do të thotë se nuk ka respektim të së drejtës ndërkombëtare”.

“Dhe më shqetëson fakti se disa përfaqësues të institucioneve të Prishtinës e kanë ditur paraprakisht se kjo nuk do të ndodhë. Sepse, kjo do të nënkuptonte se ata kanë qenë në bashkëpunim me disa nga autoritetet gjyqësore të Maqedonisë së Veriut, dhe nuk mund ta imagjinoj që Maqedonia e Veriut do t’ia lejonte vetes këtë. Nuk besoj në këtë”, deklaroi ministri serb.

Sipas tij, nëse nuk ndodh ekstradimi, “do të shohim se çfarë hapash dhe çfarë reagimesh do të ketë nga organet tona”.

Stefanoviqi tha se Serbia lufton fort, mes tjerash, “që e ashtuquajtura Kosovë të mos anëtarësohet në Interpol edhe për këso situatash”, ndërsa shton se nëse lejohet anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, “Interpoli do të politizohej”.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një kumtese për mediat, arrestimin e Morinës me kërkesë të Serbisë e quajti shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe mospërfillje të Konventave ndërkombëtare.

“Pa kaluar as një javë e plotë nga përpjekja për ta marrë në mënyrë arbitrare shtetasin tonë Tomor Morina, përmes fletarrestimeve ndërkombëtare irracionale që e kanë origjinën nga regjimi shtypës i Millosheviqit, Serbia vazhdon të impresionojë me shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut, duke nxjerrë aktgjykime për qytetarët tanë, pa përfillur asnjë normë dhe asnjë parim nga Konventat ndërkombëtare, pjesë e së cilave është”, tha Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Morina për më shumë se një javë po qëndron në paraburgim në Maqedoninë Veriore, ndërsa ishte arrestuar të mërkurën e kaluar nga policia maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Morina ka shtetësi të dyfishtë, atë të Britanisë së Madhe dhe shtetësi të Kosovës. Ai deri tani kishte lëvizur pa asnjë problem në të gjitha shtetet evropiane.