Anëtar i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci, ka akuzuar Qeverinë Kurti se është fajtore e thellimit të krizës në të cilën gjendet vendi.
Sipas tij, kriza në Kosovë s’është e freskët, por “ajo po e zë të vjetrën dhe po e tejkalon”.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Stavileci të premten ka thënë se mungesa e veprimeve dhe mungesa e përkrahjes nga Qeveria për popullin dhe kompanitë ka bërë që të thellohet vendi në krizë.
“S’po mund të këndellemi. S’kemi thënë se kush është shkaktari a fajtor i krizës botërore, e as që them se Qeveria e Kosovës i ka fajet për atë krizë. Por ka fajin më të madh, e është shkaktari i thellimit të krizës”, ka thënë ai.
Sipas tij, imponimi i politikave me çmime tavan është i rrezikshëm për Kosovën.
“I rrezikshëm për të tashmen e edhe më i rrezikshëm për të ardhmen, sepse po tentohet të ndërhyhet në ekonomi, sikur tashmë e kanë bërë në drejtësi e media. Kjo ka të bëjë me lirinë. Po lëkunden disa themele që s’do të duhej të lëkundeshin”, ka thënë ai.
“Në kohë krize të ndërmerren veprime arbitrare me të cilat rrezikohet stabiliteti i firmave e të shkaktohet krizë që potencialisht mund të shkurtojë vende pune e rritje të papunësisë, e rritja e papunësisë çon në rritje të pasigurisë, e pasiguria çon në kriza familjare, sociale psikologjike... e tëra kjo nxit ikjen masive të qytetarëve që po e shohim në shifra rekorde”, ka thënë ai duke përsëritur se “janë fajtorët më të mëdhenj, sepse s’po veprojnë”.