Ka pak ditë që Spitali i Pejës është pajisur me aparaturë të rezonancës magnetike dhe me këtë shkon në tri numri i këtyre pajisjeve në Kosovë. Por sfidë për operacionalizimin e tyre përbën mungesa e stafit mjekësor. Krahas kësaj, në QKUK ende nuk janë riparuar defektet në njërën prej dy pajisjeve që ishte dëmtuar nga vërshimet e korrikut. Pajisja e tretë që është vendosur në Spitalin Pediatrik parashihet të funksionalizohet para Vitit të Ri
Të gjithë pacientët e rajonit të Dukagjinit, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm nuk do të duhet të marrin më rrugë drejt Prishtinës për ta kryer një rezonancë magnetike në Qendrën Klinike Universitare.
Pak ditë më parë, Spitali i Pejës është pajisur me një aparaturë të rezonancës magnetike, me të cilën është ngritur në tre numri i përgjithshëm i këtyre aparaturave që i posedon Kosova.
Rezonanca magnetike tani është në procesin final të montimit ndërkaq drejtori mjekësor i Spitalit, Muhamet Halitaj, ka paralajmëruar se funksionimi i aparaturës do të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm.
Por sfidë për nisjen e punës përbën mungesa e radiologëve, meqë sipas Halitajt, spitali funksion vetëm me dy.
“Mendojmë që për të funksionuar normalisht, duhet t’i kemi shtatë radiologë, në mënyrë që, për shkak se tani kemi pajisje bashkëkohore duke filluar me CT, rezonancë e radiografi digjitale që ofrojnë shërbime standard bashkëkohore. Vështirësi kemi, mendoj që duhet t’u ndahet mjekëve të rinj, specialistëve të drejtimit të radiologjisë po edhe në profile të tjera kemi mungesë, por sidomos në radiologji”, ka thënë ai, duke shtuar se Ministria e Shëndetësisë duhet sa më parë t’i ndajë specializimet.
Halitaj ka thënë se nga kjo aparaturë do të përfitojnë rreth 200 mijë banorë, që mund të jenë pacientë nga komuna e Istogut, Deçanit, Klinës e Junikut.
Ai ka theksuar se mbingarkesë të mjekëve si pasojë e mungesës së tyre kanë edhe në repartet e Pulmologjisë, Infektives dhe atë të Pediatrisë.
Radiologia Roza Kola-Hajdari, ka kërkuar që pacientët të kenë mirëkuptim në rastet kur nuk do të mund të përmbushen kërkesat, si pasojë e numrit të pakët të mjekëve.
“Është shumë e rëndësishme. Për ne është një shpëtim. Them një shpëtim pasi ne kemi pasur një aparaturë tjetër në dispozicion; ultrazë, mamografi e të tjera. Po e shfrytëzojmë edhe këtë aparaturë që e kemi në dispozicion për raste që janë të pazgjidhshme me metoda të tjera ekzaminuese. Kërkesat kanë qenë dhe do të jenë të mëdha. Jemi duke llogaritur që po flasim për një territor të tërë të Rrafshit të Dukagjinit”, ka thënë Kola-Hajdari.
Në Spitalin e Pejës kanë thënë se shpresojnë për një marrëveshje me radiologë në QKUK për leximin e ekzaminimeve.
E në Klinikën e Radiologjisë, lista e pritjes për këtë shërbim vazhdon të jetë rreth 11 muaj.
Drejtoresha e kësaj klinike, Shkendije Nuza, ka vlerësuar se pajisja e spitalit rajonal me këtë aparaturë do të zbusë mbingarkesën, teksa ka treguar se një aparaturë e tillë është vendosur edhe në Spitalin Pediatrik dhe se pritet që të nisë punën para Vitit të Ri.
“Në Spitalin Pediatrik veç është montuar rezonanca magnetike dhe është në procedurat finale të përfundimit komplet të montimit të aparaturës edhe pritet sipas premtimeve që i kemi prej operatorëve dhe prej menaxherëve, kontrata që i përcjellim procedurat me të cilat vinë aparaturat dhe montohen. Tash për momentin e kemi vetëm trajnimin e stafit, domethënë ata kanë premtuar fundjavën që montohet çdo gjë edhe javën tjetër të fillojë trajnimi i tërë stafit, që është së paku një javë”, ka thënë Nuza.
Edhe ajo ka theksuar mungesën e stafit që do të punojë me këto pajisje të reja, si në Spitalin e Pejës ashtu edhe në atë Pediatrik.
“Sa i përket aspektit të radiologëve nuk është se nuk ka mungesa por mungesat janë shumë më të mëdha në aspektin e stafit të mesëm, teknikëve të radiologjisë, për arsye se për funksionalizimin tash që do të fillojmë edhe në Spitalin e Pediatrisë është mirëpritur të fillojmë vetëm me ndërrimin e paradites. Shërbimi i Spitalit të fëmijëve duhet të jetë 24-orësh, ndërsa për funksionalizimin e shërbimit 24-orësh duhet të jetë edhe një numër i konsideruar i teknikëve”, ka thënë tutje Nuza.
Njëra nga dy pajisjet e rezonancës magnetike në QKUK, që ndodhet në bodrumin e Onkologjisë që prej vërshimeve të korrikut, është jashtë funksionit dhe ka humbur komplet fushën magnetike.
Në prill ishte premtuar se deri në fund të vitit, me rezonancë do të pajiseshin Spitali Pediatrik, ai i Pejës dhe i Prizrenit. Por për procedurat rreth spitalit të Prizrenit ende nuk janë konkretizuar.
Rreth mungesës së stafit që do të operonte me to, KOHA ka adresuar pyetje në SHSKUK dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, por nuk ka marrë përgjigje.