Disa mjekë në Klinikën e Radiologjisë nuk kanë marrë pjesë në trajnimet për përdorimin e pajisjeve të ndjeshme, si rezonanca dhe skaneri, ndonëse ka qenë e paraparë. Një punonjëse ka thënë në kushte anonimiteti për KOHËN, se disa prej mjekëve nuk janë paraqitur fare në trajnim, ndërsa pajisjet i kanë mësuar përmes kolegëve
Pajisjet e ndjeshme që përdoren për diagnostikim në Klinikën e Radiologjisë, si rezonanca, skaneri dhe rëntgeni kërkojnë trajnim të specializuar.
Por, në vend të trajnimit profesional nga ekspertët e kompanisë prodhuese, disa mjekë mësojnë përdorimin e tyre nëpërmjet kolegëve.
Një punonjëse shëndetësore që ka folur në kushte anonimiteti për KOHËN, thotë se ka mjekë që figurojnë në dokumente si të trajnuar, por trajnim real nuk kanë marrë asnjëherë.
“Kur janë mbajtur trajnimet për pajisjet në Klinikën e Radiologjisë, disa mjekë që ishte paraparë të trajnoheshin, nuk kanë marrë pjesë fare. Në vend që të jenë në trajnim, ata kanë qenë në pushim. Trajnimi ka zgjatur tri ditë, por në fund emrat e tyre figurojnë në dokumente si të trajnuar. Pajisjet, disa prej tyre shumë të ndjeshme, janë mësuar nga njëri-tjetri, dhe jo me trajnim të strukturuar profesional, siç është e kërkuar”, ka thënë ky burim.
Ajo e ka përmendur edhe një rast kur një mjek është dashur të zëvendësohet, pasi ai nuk i kishte njohuritë bazë për përdorimin e rezonancës.
“Një mjek që figuron në dokumente si i trajnuar për rezonancën magnetike në praktikë, nuk ka ditur ta përdorë pajisjen siç duhet. Për shkak të pasigurisë, është dashur të zëvendësohet nga një mjek tjetër, që realisht ka qenë i trajnuar”, ka thënë ajo.
Lidhur më këtë çështje, përgjigje nuk kanë kthyer as nga Klinika e Radiologjisë e nga SHSKUK-ja.
KOHA ka kërkuar edhe qasje në dokumentet zyrtare lidhur me mbajtjen e këtyre trajnimeve, por QKUK-ja dhe Shërbimit Spitalor e Klinik Universitar i Kosovës nuk e ka lejuar një gjë të tillë.
KOHA ka dërguar pyetje edhe te tri kompanive që e kanë bërë furnizimin me pajisje në Radiologji, por vetëm njëra – ajo “MedBrand” ka kthyer përgjigje, duke thëne se trajnimi është mbajtur në Prishtinë nga specialisti i kompanisë prodhuese, pa dhënë informacione të tjera.
“Trajnimi, siç kërkonte dosja e tenderit, është bërë nga prodhuesi i pajisjes që e ka dërguar në Prishtinë, Mr.Tomas Schëarz, më datat 20,21,22 Dhjetor 2022. Stafin që është trajnuar nuk e caktojmë ne, por vetë AK-ja. Në këtë trajnim kanë marrë pjesë më shumë se 10 persona. Na kuptoni drejt, me qenë se këto protokolle përmbajnë të dhëna personale të stafit të QKUK-së si, pozita, Emër, Mbiemër, e-mail adresa, nënshkrimet e tyre, kompania jonë nuk mund t’i shpërndajë apo publikojë ato sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhet në përgjigjen e kësaj kompanie.
E radiologu, Ilir Betja, ka folur për rëndësinë që e ka trajnimi i stafit për përdorimin e sigurt të pajisjeve mjekësore.
“Është obligative nga prodhuesi që e sjell aparaturën në Klinikën e Radiologjisë apo në klinika të tjera, që të mundësojë trajnim për përdorimin e saktë të saj. Në këtë trajnim duhet të marrin pjesë bashkërisht mjekët, teknikët e radiologjisë dhe të gjithë personat përgjegjës për realizimin e ekzaminimeve. Mospjesëmarrja në trajnim mund të ketë pasoja, pasi teknikët, gjatë ekzaminimit të pacientëve, mund të mos i kenë të qarta të gjitha funksionet e pajisjes. Për këtë arsye, gjithmonë duhet të fillohet me trajnim dhe vetëm më pas me realizimin e ekzaminimeve”, ka thënë Betja.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përdorimi i aparaturave të ndjeshme, si rezonanca magnetike, skaneri dhe rëntgeni kërkon jo vetëm njohuri të avancuara teknike, por edhe njohuri mbi sigurinë e pacientit, për ta minimizuar ekspozimin ndaj rrezatimit dhe për të siguruar rezultate të sakta.