Arbëri

Spitali i Pejës ndryshon përgjigjen: Për rastin e foshnjës njoftuam SHSKUK-në, por jo edhe MSH-në

Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka ndryshuar përgjigjen vetëm disa orë pasi drejtori mjekësor i tij kishte deklaruar për KOHËN se për rastin e foshnjës që u lind e vdekur e u fut në rrobalarëse nga punonjësit e spitalit, ishin njoftuar institucionet, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë.

Një ditë më pas, të enjten, drejtori mjekësor Muhamet Haliti, i ka thënë KOHËS se “e kam keqkuptuar pyetjen” dhe se ministrinë nuk e ka njoftuar spitali.

Haliti, kishte deklaruar një ditë më parë për KOHËN se “të gjithë janë të njoftuar, edhe Ministria, edhe SHSKUK-ja” për rastin e foshnjës.

Për ndryshimin e përgjigjes, arsyetimi i Halitit ka qenë se ka menduar se SHSKUK-ja ka qenë ajo që e ka njoftuar ministrinë.

“Kemi menduar se SHSKUK-ja e ka njoftuar MSH-në”, ka thënë Haliti.

Një foshnje që ka lindur pa shenja jete javën e kaluar në Spitalin e Pejës, dyshohet se ishte futur në rrobalarëse. Rasti në polici ishte iniciuar nga babai i foshnjës pasi stafi mjekësor kishte refuzuar t’ia lëshonte trupin e foshnjës familjes kur e kishte kërkuar.

Spitali në një sqarim për rastin ka njoftuar se shtatë punonjës janë suspenduar dhe se hetimet po vazhdojnë.