Një ditë pasi emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, takoi liderët e partive opozitare, njohës të çështjeve politike shtruan nevojën që pushteti dhe opozita në Kosovë të flasin me një zë në raport me Serbinë. Sipas tyre, mungesa e unitetit do ta vinte në rrezik edhe ratifikimin në Kuvend, të marrëveshjes potenciale që mund të arrihet këtë muaj
Njohës të çështjeve politike kanë shtruar nevojën të shtunën që pushteti dhe opozita të tregojnë unitet në raport me dialogun me Serbinë. Ata vlerësuan se në situatën aktuale kur Serbia është nën presionin e perëndimit edhe për shkak të raporteve me Rusinë, spektri politik njëzëri duhet ta shfrytëzojë situatën për të arritur marrëveshjen më të përshtatshme për Kosovën.
Analisti politik, Shkumbin Beqiri, thekson se pushteti duhet t’i marrë parasysh edhe vërejtjet që opozita ka për planin evropian, në mënyrë që marrëveshja potenciale ta ketë edhe mundësinë e ratifikimit në Kuvend, por edhe të zbatimit.
“Pushteti në Kosovë dhe partitë politike të opozitës duhet t’i mbajnë, duhet të arrijnë një konsensus të përgjithshëm në raport me çështjen në mënyrë që Kosova të dalë e përfaqësuar me një qëndrim i cili në rend të parë ka një legjitimitet të pakontestueshëm brenda vendit dhe në të njëjtën kohë e mundëson implementimin e marrëveshjes në një mënyrë e cila nuk e kërcënon rendin kushtetues në Kosovë”, ka thënë Beqiri.
Kundër përmbajtjes së Planit evropian janë deklaruar dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Lidhja Demokratike.
Por njohësi i çështjeve politike, Yll Hoxha, thotë se duhet të arrihet konsensusi, meqë problemet e brendshme e vështirësojnë pozitën e Kosovës në procesin e negocimit. Sipas tij, dallimet mes pushtetit dhe opozitës janë më shumë teke individuale të lidershipit, sesa që kanë ndonjë dallim të madh substancial.
“Ne e kemi parë, proceset që kanë shkuar me unitet në të kaluarën kanë qenë shumë më të lehta dhe shumë më të dobishme. Proceset prej Brukselit e tutje për fat të keq, nuk kanë ndërtuar konsensus dhe kanë qenë edhe të padobishme, edhe të paefektshme. Nuk kanë prodhuar rezultate. Unë shpresoj që do të ketë një reflektim edhe të Qeverisë, por edhe të opozitës, në mënyrë që rruga tjetër prej tash e tutje të kalohet bashkërisht”, ka thënë Hoxha.
Ndërkaq, ligjëruesi i shkencave politike, Dorajet Imeri, thotë se mungesa e unitetit do ta pamundësojë ratifikimin e marrëveshjes potenciale në Kuvend. Mirëpo ai ka dyshime se deri atëherë, PDK-ja e LDK-ja do t’i mbajnë qëndrimet kundër Planit.
“Qëndrimet e partive opozitare janë tepër me rëndësi në një proces negociues për shkakun se ju e dini që një marrëveshje duhet të kalojë pastaj përmes Kuvendit të Kosovës për t’u ratifikuar dhe se nëse PDK-ja e LDK-ja do të mbajnë qëndrim negativ ndaj marrëveshjes, për çka unë dyshoj se do të mbajnë qëndrim negativ, atëherë kjo marrëveshje nuk mund të votohet në Kuvendin e Kosovës dhe rrjedhimisht, është e pavlefshme”, ka deklaruar Imeri.
Të premten, emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka takuar liderët e partive opozitare. Pavarësisht se pas takimeve krerët e të dy partive, PDK e LDK, u deklaruan kundër planit me përmbajtjen aktuale, Lajçak u shpreh optimist se këto dy subjekte nuk do ta kundërshtojnë marrëveshjen.
E sipas analistit Beqiri, deklarimi i Lajçakut është indikacion se uniteti në spektrin politik do të mund të arrihet me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.
“Për të arritur një konsensus, në mënyrë që Kosova të dalë me një qëndrim unik në raport me arritjen e marrëveshjes me Serbinë është mjaft e vështirë dhe kjo zor se mund të arrihet pa ndërhyrjen e një faktori të tretë. Në këtë rast SHBA-ja mund të kenë një ndikim edhe në qëndrimin e opozitës, diçka që nuk duhet përjashtuar si mundësi që mund të ndodhë ditëve në vijim”, ka thënë Beqiri.
Mirëpo, Yll Hoxha thotë se në këtë situatë kur Plani evropian ka mbështetje të plotë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është hipokrizi që partitë opozitare të cilat kanë kërkuar nga Qeveria ruajtjen e raporteve me këtë aleat, të mos e mbështesin propozimin evropian.
“Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike janë subjekte që e kanë sjellë procesin në këtë pikë pa përfundim. Do të ishte hipokrizi nga ana e tyre që ta transformojnë qëndrimin në një kundërshtim radikal. Dhe, në momentin kur thua se është absolutisht e rëndësishme që t’i ruajmë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ta kundërshtosh njëkohësisht planin franko-gjerman, ti ke hyrë në një kontradiktë logjike”, është shprehur Hoxha.
Marrëveshja mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, mbi udhërrëfyesin për zbatimin e Planit evropian për të cilin janë dakorduar më herët, synohet të arrihet në takimin e Ohrit që është planifikuar të mbahet më 18 mars.