Gjykata Speciale të premten ka bërë të ditur se ka refuzuar kërkesat e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për lirim nga paraburgimi.
“Të premten më 30 prill 2021, paneli i Gjykatës së Apelit nxori katër vendime me të cilat hodhi poshtë apelet e parashtruara nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kundër katër vendimeve përkatëse të Gjykatësit të Procedurës Paraprake me të cilat ai refuzoi kërkesat e tyre fillestare për lirim të përkohshëm”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kjo nuk është hera e parë që ish-krerëve të UÇK-së u refuzohet kërkesa për lirim. Në fillim të këtij viti, Specialja me arsyetimin se ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë ose ta kryejnë ndonjë krim, u kishte refuzuar kërkesën për lirim me kusht, të cilin të akuzuarit e kishin apeluar.
Nga fillimi i nëntorit, katër ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim në Hagë. Ata po akuzohen për krime lufte.
Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.
-
Krasniqit, Veselit e Selimit u refuzohen kërkesat për lirim të përkohshëm
-
Thaçi dhe të tjerët mbesin në paraburgim
-
Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm, a lirohet menjëherë?
-
Procesi gati 6-vjeçar ndaj Thaçit dhe të tjerëve drejt fundit
-
Specialja cakton datën e shpalljes së vendimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve