Arbëri

Spahiu: Plani evropian i paqartë për nivelin e autonomisë së serbëve përmes vetëmenaxhimit

Publicisti Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se plani evropian është i paqartë në atë se cili do të jetë niveli i autonomisë së serbëve në Kosovë i shprehur përmes termit “vetëmenaxhim”.

Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Spahiu ka thënë se po humbet energji në atë se a e paraqet ky plan njohjen de jure të Kosovës nga Serbia, ndërkohë që fokusi sipas tij, duhet vënë te kompetencat e Asociacionit.

“Nuk është shumë me rëndësi sepse ne po humbim shumë energji se a është njohje de jure e pavarësisë apo jo ndërkohë që biseda duhet të koncentrohet te kompetencat e ‘Zajednicës’. Prani franko-gjerman të vetmen paqartësi e ka në të se cili do të jetë niveli i autonomisë së serbëve në Kosovë i shprehur përmes formulës së vetëmenaxhimit apo marrëveshjet paraprake për Asociacionin sepse problematike është kjo marrëveshja e vitit 2015 dhe ajo duhet të riformulohet për t’u bërë gjërat e qarta”, ka thënë ai.

Spahiu ka theksuar se ndërkombëtarët mund ta sjellin versionin “merre ose lëre” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Epilogu do të jetë që ndërmjetësuesit do ta bëjnë një tekst me kompetenca të Asociacionit në stilin merre ose lëre, por atëherë do të jetë vonë për ta refuzuar. Tani duhet përgatitur në mënyrë që kur vjen propozimi, të jetë më i favorshëm për Kosovën”, është shprehur ai.

Ai më tej ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk e kupton konceptin e kombit.

“Po ta kishte kuptuar, nuk do të dilte kontradiktor në deklarata. Bën marrëveshje ndërkombëtare me Qeverinë e Shqipërisë, që do të thotë marrëveshja ndërkombëtare është marrëveshje mes kombeve, dhe del e thotë që është një komb”, ka thënë ai.